Ramush Haradinaj ka mbledhur kryesinë e AAK-së dhe nga aty ka dalë me qëndrimin unanim të partisë pro propozimit evropian, të cilin tanimë e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.
“Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbështetje të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është qëndrim pro interesave nacionale e shtetërore. Ky është qëndrimi që ka dalë sot nga mbledhja e kryesisë së AAK-së”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas Haradinajt, marrëveshja mbi bazën e propozimit evropian i hap Kosovës rrugë për integrim dhe për njohje të reja.
“Në takim theksova se kjo marrëveshje e propozuar është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi si shtet. Rikonfirmuam mbështetjen tonë ndaj arritjes së kësaj marrëveshjeje, të bindur se kjo i mundëson Kosovës hapjen e perspektives integruese euro-atlantike dhe arritjen e njohjeve të reja. Ky qëndrim është tërësisht në interes të vendit dhe pa ndonjë kalkulim elektoral”.