Ymeri: Epilogu i takimit në Ohër varet nga vizitat e Lajçakut në Prishtinë e Beograd

Aktuale

Ymeri: Epilogu i takimit në Ohër varet nga vizitat e Lajçakut në Prishtinë e Beograd

Më: 9 mars 2023 Në ora: 20:34
Visar Ymeri

Epilogu i takimit të 18 marsit mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq mund të dihet më herët.

Pajtimi i tyre, në Ohër, varet shumë nga efektet që do të kenë vizitat e të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë e Beograd.

“Vizita e z. Lajçak ka për qëllim mbledhjen e qëndrimeve e vërejtjeve të fundit nga palët për Planin e zbatimit në mënyrë që ta kemi një tekst të përafruar dhe dakorduar me palët para takimit në Ohër”.

Kështu po vlerëson Visar Ymeri, dikur kryetar i Vetëvendosjes.

Diplomati sllovak tashmë ka mbërritur në Kosovë, kurse pastaj do të shkojë edhe në Serbi.

“Nuk është krejt e qartë nëse ky takim kërkon nënshkrim formal ose jo. Se a do të ketë dakordancë besoj që do të marrim vesh më shumë gjatë kësaj periudhës së ‘diplomacisë fluturuese’ që do ta shohim në fund të kësaj jave”, u shpreh Ymeri.

Problem që duhet t`i bëhet qarja, sipas tij, tash është plani i zbatimit të ujdisë franko-gjermane.

“Plani i zbatimit tashmë i është dhënë palëve. Ai është në diskutim. Nuk mendoj që ka shumë hapësirë diskutimi aty, por megjithatë gjykuar nga deklarimet publike duket se ka çështje të caktuara të cilat janë duke u negociuar. Në momentin kur ka pajtim për planin e zbatimit atëherë fillojmë me zbatimin e pikave të parapara aty”, u theksoi.

Ymeri thotë se me pranimin e planit franko-gjerman, Kosovës i mundësohet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

Megjithatë, për të, shqetësuese mbetet dilema nëse 5 vendet anëtare mosnjohëse të Unionit do ta njohin Pavarësinë.

“Një gjë e tillë nuk mund të garantohet me një marrëveshje si kjo. Por në anën tjetër mbetet po ashtu e paqartë nëse një marrëveshje si kjo do të jetë argument shtesë për Kosovën dhe partnerët tanë perëndimor në raport me vendet si Spanja në procesin e lobimit për njohje. Lëvizje të madhe nga pozicioni i këtyre vendeve deri tash nuk ka, por sinjale të ndryshme nga vendet e ndryshme ka”, deklaroi Ymeri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se plani i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe efikas.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat