Përfundoi takimet me partitë opozitare, deklarohet Lajçak: E arrita qëllimin!

Aktuale

Përfundoi takimet me partitë opozitare, deklarohet Lajçak: E arrita qëllimin!

Më: 10 mars 2023 Në ora: 10:18 Përditësuar në ora: 15:21 më 10.03.2023
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Lajçaku pas takimeve me opozitën: Jam optimist se marrëveshja do të kalojë

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka përfunduar takimet me krerët e partive opozitare në ditën e tij të dytë të qëndrimit në Kosovë.

Lajçak këtë të premte ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe së fundmi kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit me këtë të fundit, Lajçak u pyet nga mediat rreth shqetësimit se partitë opozitare nuk do të ratifikojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kur të arrin në Kuvendin e Kosovës.

Lajçak deklaroi se nuk është i shqetësuar për këtë, por se është optimist.

Mes tjerash, emisari tha se takimet e kanë përmbushur qëllimin e tij.

“Mendoj se është e rëndësishme në këtë pikë për mua të takohem me partitë opozitare dhe unë takova PDK-në dhe LDK-në dhe i informova për procesin për pritshmëritë e komunitetin internacional, ata shpjeguan pozicionet e tyre e tyre partiake, pra është gjithçka përgatitje e takimit të 18 marsit”.

“Është gjithashtu e rëndësishme që ta dëgjojnë nga unë ata dhe jo vetëm nga mediet ose parlamenti. Dhe për mua takimi e ka përmbushur qëllimin”, tha Lajçak.

Gjatë ditës së djeshme ai ka takuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

​Nis takimi i Lajçak- Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Mediat u lejuan të marrin pamje vetëm në fillim të takim, derisa zyrtarë të LDK-së, thanë se nuk do të ketë deklarime për media.

Lajçak gjatë ditës ka takuar edhe krerët e dy partive të tjera opozitare, PDK-së dhe AAK-së. Ndërkaq, dje takoi krerët e shtetit.

Lajçak po qëndron në Kosovë për të përgatitur takimin e radhës të nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut si dhe për të diskutuar për zbatimin e planit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

AAK shpreson se më 18 mars do të nënshkruhet marrëveshja e dakorduar në Bruksel

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë ia ka shprehur mbështetjen e saj për marrëveshjen e propozuar për normalizim të raporteve emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Madje, nga kjo parti shpresojnë se më 18 mars në Ohër do të nënshkruhet marrëveshja e dakorduar në mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e fundit në Bruskel.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini tha se këtë marrëveshje do ta mbështesin edhe kur të vijë për votim në Kuvendin e Kosovës. 

Gjini: AAK mbështet një marrëveshje të tillë mes Kosovës dhe Serbisë 

“Ne mendojmë se Kosova është në një moment të rëndësishëm edhe besojmë që mundet me ec përpara me një marrëveshje e cila është e propozuar. E kemi të qartë se do të ketë punë edhe në vazhdimësi, mirëpo mendojmë që në rrethanat të cilat gjendemi sot, Ballkani bota dhe gjitha çështjet tjera që na rrethojmë mendoj se është e vlefshme. Krytari Haradinaj e përcolli tek zotëri Lajçak edhe njëherë mendimin e Aleancës se mendojmë që ka të arritura serioze në këtë dokument e kuptojmë që është njohja dejure e Kosovë, mirëpo kuptojmë se marrëveshja përmban elemente të cilat i krijojnë marrëdhëniet krejt të reja në Ballkan e posaçërisht mes Kosovës dhe Serbisë...Janë sqaruar detaje të cilat e bëjnë më të sigurt secilin prej nesh për rrugën të cilin e kemi përpara si Kosovë. Nuk ka ndryshim prej qëndrimit të Aleancës e mbështesim një marrëveshje të këtillë mes Kosovës dhe Serbisë“,theksoi ai. 

Nënkryetari i AAK beson se më datën 18 mars në Ohër të dyja palët do ta nënshkruajnë marrëveshjen e propozuar. 

Ardian Gjini theksoi seankesi i kësaj marrëveshje po duket se ka të bëjë me sqarimin dhe garancat që kërkojnë palët në këtë proces. 

Gjini: Shpresojmë se me datën 18 do të arrihet marrëveshja

“Ne shpresojmë që do të ketë përparim më datën 18, shpresojmë që ndoshta edhe të ketë marrëveshje më datën 18, ajo që e kemi kuptuar dhe që e dimë është se aneksi është më tepër sqarim për palët, marrëveshja është kjo marrëveshje që ekziston dhe është e qartë, ankesi po duket se ka më të bëjë me sqarimin dhe garancat që kërkojnë palët në këtë proces, por duhet ta shohim. Ka njerëz që i kanë parë disa drafte të aneksit është krejt në rregull por nuk mundemi definitivisht me dit krejt...Ne në Aleancë shpresojmë që do të ketë marrëveshje me datën 18 dhe do të ecim më tutje”, u shpreh Gjini. 

Gjini u shpreh se marrëveshje e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë i hap rrugë vendit përpara.

Për kundërshtimet e partive opozitare, nënkryetari i AAK-së tha se nëse vetëm Kosova do të kishte mundësi ta draftonte këtë marrëveshje sigurisht që ajo do të ishte më ndryshe. 

Gjini: Rruga përpara për Kosovën hapet seriozisht fuqishëm nëse e mbërrijmë këtë marrëveshje

“Duhet me i kuptua rrethanat në të cilat po punojmë ne, rrethanat në të cilat gjendet Kosova edhe kur i kemi të gjitha parasysh mendojmë se nuk është detyrimisht përfundimtarja por është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm përpara për Kosovën....Jemi të bindur si parti politike që rruga përpara për Kosovën hapet seriozisht fuqishëm nëse e mbërrijmë këtë marrëveshje. Tek partitë tjera politike opozitare shikoni ata i kanë qëndrimet e veta mendimet e veta munden me i thënë veç duhet me u kuptua sikur ta kishim draftua veç në marrëveshjen, ose sikur veç Kosova ta kish draftua marrëveshjen defintivisht kishte me qenë më ndryshe, por nuk duhet me kuptua mos me lënë perfekten që ne po synojmë me qenë armike e një të mire e një të hapi të madh përpara”,tha ai. 

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak para takimit me krerët e AAK-së zhvilloi një takim edhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Ndërsa, gjatë ditës pritet të takohet edhe me përfaqësues të LDK-së.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak u takua edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve pritet të mbahet me 18 mars në Ohër.

AAK e konfirmon mbështetjen edhe pas takimit me Lajçakun: Plani evropian e ka votën tonë

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim e se ende vazhdon ta përkrahë planin evropian, i cili do ta ketë votën e tyre në Kuvend.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media pas takimit me emisarin e Bashkimit Evorpian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjini ka thënë se kryetari i AAK-së e ka përcjellur qëndrimin e tij se është pro lanit evropian, por se kanë kërkuar disa sqarime të vogla për të.

“Kryetari Haradinaj e përcolli të zoti Lajcak, që është për propozimin evropian. Kemi pasur mendime dhe insistime që detaje të vogla të sqarohen dhe janë sqaruar”.

“E përsërisim edhe njëherë se nuk ka ndryshim të qëndrimit si Aleancë. Nëse një marrëveshje e tillë vjen në bazë të kushtetutës ne e pranojmë edhe në Kuvend. Nuk kemi dilema të mëdha por gjithmonë na duhet pak sqarim dhe qartësi”.

Ai, tutje tha se nësë marrëveshja do të ishte draftuar nga Aleanca, do të kishte qenë më ndryshe.

“Jemi të gëzuar që në fund edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian e mbështesin Kosovën dhe kjo është diçka e mirë”.

“Sikur ne ta kishim draftuar marrëveshjen, sikur Aleanca ta kishte draftuar atë, do të ishte draftuar ndryshe, e them këtë me eufemizëm. Nuk duhet të bëhemi armike të një diçkaje të mirë për Kosovën”.

“Ka njerëz që i kanë parë disa drafte të aneksit por nuk mundemi ta dijmë se çka është marrëveshja”.

Pas takimit në PDK, Lajçak pritet nga Haradinaj

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të takimit me kryetarin e PDK’së, Memli Krasniqi, është pritur në AAK nga kreu i partisë, Ramush Haradinaj. 

Lajçak pas përfundimit të takimeve me krerët e institucioneve dje, sot ka vazhduar takimet me liderët opozitarë. 

Haradinaj, për dallim nga PDK dhe LDK, e ka mbështetur planin europian për të cilin ra dakord Qeveria në Bruksel.

Kujtojmë se dje ai është takuar edhe me kryeministrin Kurti e presidenten Osmani, takime të cilat i ka cilësuar konstruktive në procesin e dialogut.

Krasniqi deklarohet pas takimit me Lajçakun, e fajëson kryeministrin Kurti për këtë gjë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit që pati me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, tha se partnerët ndërkombëtarë nuk duhet të jenë të befasuar me qëndrimin e PDK-së që s’e mbështet një marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër meqë këtë qëndrim ia ka shpalosur në të gjitha takimet që kanë pasë. 

Sipas tij, një marrëveshje pa njohjen në qendër do të zgjasë procesin e dialogut dhe rrjedhimisht edhe status quo’në për Kosovën.

“Në diskutimet për marrëveshjen e propozuar, ia shpreha edhe njëherë qëndrimin e PDK-së rezervat që i kemi sa i përket marrëveshjet, për arsye që i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut, duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë. Ky ka qenë jo vetëm qëndrimi ynë, por edhe qasja e partnerëve ndërkombëtarë. Ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshm , jo me njohje të ndërsjellë, por me Asociacionin në qendër”. 

Për këto Krasniqi e lë fajtor kryeministrin Kurti. 

“Këto pasoja kanë arsye, përgjegjësia e Kurtit është direkte. Sepse e ka humbur mundësinë që për dy vite t’i bindë partnerët ndërkombëtarë për mbështetje në realizim e qëllimeve tona shtetërore”. 

Fillojnë takimet: Lajçak takohet me kryetarin e PDK-së

Emisari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, është takuar me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë, ai do të takohet të premten edhe me kryetarët e LDK-së dhe AAK-së.

Me kryetarin e AAK-së në 11:45, ndërsa do të jetë në LDK në orën 14:45. 

Kujtojmë se dje ai është takuar edhe me kryeministrin Kurti e presidenten Osmani, takime të cilat i ka cilësuar konstruktive në procesin e dialogut.

Dje me krerët e shtetit, sot Lajçak takohet me PDK-në, AAK-në dhe LDK-në

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë, do të takohet të premten edhe me kryetarët e partive politike në Kosovë.

Lajçak pritet që të takohet me kryetarin e PDK-së në orën 10:45, me atë të AAK-së në 11:45, ndërsa do të jetë në LDK në orën 14:45.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak të enjten gjatë vizitës në Kosovë takoi presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar ankesin e zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Lajçak takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e quajti konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm, gjersa në një deklaratë para gazetarëve theksoi se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst”, ka theksuar Lajçak.

Lajçak tha se në rast se të dyja palët pajtohen, më 18 mars pritet të nënshkruhet marrëveshja.

I dërguari i BE-së në një intervistë për “Context”  ka folur edhe për çështjen e Asociacionit.

Ai tha se kryeministrit Kurti i ka dhënë 15 modele evropiane për Asociacionin, të cilat modele nuk kanë çuar në mosfunksionim te shtetet.

Lajçak tha se është koha për të ndryshuar narrativën nga Kurti dhe se në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë Asociacioni, të shihet si mundësi për të përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet Qeverisë dhe serbëve të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat