Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, për Portalin Dukagjini ka dhënë detaje shtesë për rastin e tentim vrasjes në fshatin Baicë të Komunës së Drenasit, ku një persona ka mbetur i plagosur në kokë nga dy persona të dyshuar, njëri nga ta është arrestuar nga Policia e Kosovës në Pejë në orën 01:30.
“Q. B,mashkull, 22 vjeç, është arrestuar sot rreth orës 01:30 në Pejë, nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, të mbështetur nga policia e Pejës”, ka treguar Ahmeti.
“Ndërsa i dyshuari tjetër L.Z, aktualisht ndodhet në arrati, i njëjti është në kërkim nga ana e policisë”, ka shtuar ajo.
Ndërsa, sipas zëdhënëses së Policisë, personi i plagosur është personi me inicialet M.H mashkull.
“Personi i lënduar M.H. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Drenasit të mbështetur nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritur të identifikojnë dy persona të dyshuar”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka njoftuar se i arrestuari me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në paraburgim.
“Pas intervistimit, personi i arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndaj tij është iniciuar rasti vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje”, ka sqaruar ajo.