Kryediplomati grek në vizitën e gjashtë në Kosovë, Presidentja Osmani tregon çfarë folën në takim

Aktuale

Kryediplomati grek në vizitën e gjashtë në Kosovë, Presidentja Osmani tregon çfarë folën në takim

Më: 12 mars 2023 Në ora: 07:33 Përditësuar në ora: 13:06 më 12.03.2023
Nikos Dendias dhe Vjosa Osmani

Presidenca: Osmani dhe Dendias diskutuan për procesin e dialogut me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Osmani, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka vlerësuar angazhimin proaktiv të Greqisë në rajonin tonë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit grek për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani, duke u thirrur në vlerat e përbashkëta euroatlantike, ka kërkuar që mbështetja greke për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike të vazhdojë. Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka theksuar se integrimi i plotë ndërkombëtar i Kosovës, përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Këshillin e Evropës, do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme në rajon.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Tutje, Osmani ka falënderuar ministrin Dendias për mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në votimin e fundi të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe për avokimin e vazhdueshëm për t’i dhënë fund këtij procesi.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, siç është bërë e ditur, Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë.

“Në takim është diskutuar edhe për raportet Kosovë-Greqi, me ç’rast Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve dyanëshe, duke përmendur nevojën e rritjes së shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimit në sfera të ndryshme të interesit të përbashkët.”, është bërë e ditur tutje në komunikatë.

Dendias në vizitën e gjashtë në Kosovë, Presidentja Osmani tregon çfarë foli me kryediplomatin grek

Presidentja Vjosa Osmani e ka takuar ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Dendias ka ardhur sot për herë të gjashtë për vizitë në Kosovë.

Osmani tha se me kryediplomatin grek biseduan për bashkëpunimin dypalësh, dialogun me Serbinë e për zhvillimet e fundit në rajon.

“Diskutuam për përkushtimin tonë të përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin dypalësh në mes të Kosovës dhe Greqisë, për procesin e dialogut me Serbinë, si dhe për zhvillimet e fundit në rajon”, shkroi Osmani në një postim në Facebook pas takimit.

“Kosova vazhdon të jetë e angazhuar për paqe afatgjate në rajon, forcim të demokracisë dhe integrim të plotë në institucionet euroatlantike”, shtoi ajo.

Kryediplomati grek vjen në Kosovë, pritet nga presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do ta pres në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Takimi do të zhvillohet në ora 11:00, ka njoftuar kabineti i presidentes.

Kujtojmë se Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Megjithatë, dy shtetet mbajnë raporte normale diplomatike dhe tregtare.

Zyrtarët e Kosovës dhe ata grekë zhvillojnë takime zyrtare të ndërsjella në Prishtinë dhe Athinë dhe pos kësaj, Kosova dhe Greqia kanë shkëmbime tregtare dhe flasin shpesh për bashkëpunim të mëtutjeshëm ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat