Paralajmërimi për shtrenjtim të energjisë elektrike prej 14 % nga muaji prill, sipas deputetës së VV-së, Mimoza Kusari-Lila është propozim që ka dalë nga dëgjimet e rregullta vjetore që i bënë ZRrE.
Ajo ka thënë se një gjë e tillë ishte propozuar edhe vitin e kaluar, por që sipas saj Qeveria kishte marrë vendim për subvencionim të energjisë duke bërë që qytetarët të mos preken nga rritja e çmimit.
Kusari-Lila të hënën ka thënë se mbetët të shihet se cilat do të jenë modalitet dhe se a do subvencionojë Qeveria përsëri energjinë.
“Propozim i njëjtë ishte edhe vitin e kaluar të cilin qeveria e ka subvencionuar. Mendoj që jemi në një fazë që duhet shqyrtuar mundësitë sa më të mira që sa më pak të preket konsumatori”, ka thënë ajo.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se ngritjen e çmimit të energjisë elektrike do ta kundërshtojnë me proces gjyqësor, pasi siç tha ai, kjo ngritje është e dëmshme dhe e pa bazuar.
Paralajmërimi për rritje të çmimit të energjisë është kundërshtuar nga Presidenca e Kosovës në komentet e dërguara në ZRrE.