Pasi ka marrë përshtypjet nga të dy palët, nga Kurti e Vuçiqi, Lajçak deklaroi se është i gatshëm t’i finalizojë përgatitjet për takimin e rëndësishëm të nivelit të lartë, në Maqedoni të Veriut, që pason atë të mbajtur në Bruksel, më 27 shkurt.
“Pasi kemi marrë komentet nga të dyja palët, tani do të finalizojmë përgatitjet tona përpara takimit në Ohër të shtunën”, theksoi emisari Miroslav Lajçak, pas takimit me Vuçiqin në Beograd.
Para se të shkonte në Beograd, Lajçak fillimisht u ndal në Kosovë, në një takim me kryeministrin Albin Kurti, të enjten.
Lajçak njoftoi se kjo vizitë, qëllim kryesor pati që BE të dijë se ku qëndron dhe si e sheh Kosova procesin e implementimit të propozimit evropian.
Ai pati deklaruar se takimi ishte frytdhënës, dhe se Kurti i ka dhënë më shumë informacione mbi qëndrimin e tij në këtë proces.
Ndërmjetësuesi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, edhe njëherë ka përsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është obligim që i takon Kosovës.
Sipas Lajçak, Asociacioni duhet dhe do të krijohet, pasi kështu rekomandojnë edhe të gjitha strukturat evropiane, përfshirë BE-në dhe ShBA-në.
“Autoriteti më i lartë i BE-së thotë se duhet të krijohet Komuniteti. SHBA thotë që Komuniteti duhet të krijohet. Pra duhet të krijohet Asociacioni dhe do të krijohet”, theksoi ai në intervistë për RTS.
Lajçak edhe njëherë ritheksoi se pret që, për formimin e Asociacionit, të merren parasysh 15 modelet evropiane që i ka ofruar BE-ja. Mirëpo, ai këtë herë ka shtuar se këto modele duhet shfrytëzuar vetëm si frymëzim, jo si alternativë.
“Ne e dimë që është rënë dakord në 2013, por nuk ndodhi. Këtë herë duhet të ndodhë, bazuar në atë që u ra dakord në 2013, përkatësisht në 2015. Ne propozuam 15 modele ekzistuese evropiane si frymëzim. Jo si një alternativë. Ndoshta marrëveshjet e vitit 2013 apo 2015 nuk do të japin përgjigje për të gjitha pyetjet. Unë dua që ne të kërkojmë frymëzim nga modelet funksionale evropiane”, deklaroi emisari evropian.
Lajçak ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit, e cila është nënshkruar 10 vjet më parë, nuk është braktisur. Ai shtoi se modelet e ofruara japin ndjenjën e sigurisë, ngase Asociacioni, sipas tij, nuk është diçka ndaj të cilit Kosova duhet të frikësohet.
“Komuniteti duhet të ndërtohet sipas modelit që është rënë dakord në 2013 – 2015. Dhe modelet janë aty për të treguar se askush nuk duhet të ketë frikë. Ka modele të vetëqeverisjes, të minoriteteve në Evropë dhe kjo nuk është asgjë e rrezikshme. Askush nuk duhet të ketë frikë. Është normale që kemi garanci ligjore që komuniteti pakicë të ndihet i sigurt”, shpjegoi ai.
Lajçak ka thënë po ashtu se nuk do të kishte marrëveshje fare nëse Kosova nuk do të pajtohej për krijimin e Asociacionit dhe në të njëjtën kohë, Serbia të mos pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Nëse Prishtina thotë se nuk e duam Asociacionin, dhe Beogradi thotë se nuk dëshiron pranimin e Kosovës në OKB, atëherë, ne nuk do të kishim një marrëveshje”, shpjegon Lajçak në një intervistë për mediat serbe.
“Është bërë një çështje kyçe dhe është bërë e qartë për të gjithë se nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje dhe nuk ka normalizim.” tha i dërguari i posaçëm i BE për dialogun.
Duke komentuar deklaratën e Gabriel Escobar, i cili tha se nëse kjo qeveri nuk do, do të kërkojmë partnerë të rinj, Lajçak thotë se ata nuk zgjedhin partnerë, por kërkojnë partnerë për të përmbushur të gjitha obligimet nga bisedimet e mëparshme.
“Këtë punë kam tre vjet që e bëj dhe tre vjet kam dëgjuar në Serbi që e mbështes Kosovën, dhe në Kosovë e mbështes Serbinë. Kjo tregon se jam neutral dhe misioni dhe personaliteti im është i tillë që dua të ndihmoni dhe zgjidhni problemin, jo për të ndihmuar dikë kundër dikujt”, tha Lajçak, duke iu përgjigjur pyetjes nëse “pesëshja e madhe” i solli ultimatum Beogradit.
Ai tregon se BE-ja nuk e përdor fjalën ultimatum, por se janë diskutuar alternativat.
Modelet e ofruara nga BE-ja i ka komentuar edhe vetë kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se këshilltarët e tij dhe disa nga ministrat janë duke trajtuar 15 modelet për Asociacionin që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ia ka ofruar atij.
Ai shtoi se, nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare në Bashkimin Evropian, do të shohin të marrin elemente që edhe pakicat në Kosovë të jenë në nivelin e duhur. Por nënvizoi se nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.
“Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë…”, deklaroi dje, shefi i ekzekutivit.
Emisari Miroslav Lajçak është pyetur edhe se a do të ketë Asociacioni kompetenca ekzekutive, pyetje kjo që Lajçak e anashkaloi disi, pasi tha se ende nuk dihet si do të krijohet.
“Duhet të bien dakord për një sërë detajesh, të propozohet një statut dhe të dy palët bien dakord për statutin. Për dhjetë vjet, marrëveshja nuk është përmbushur, por kësaj radhe do të jetë, sepse nuk do të kemi një marrëveshje pa Asociacion”, tha Lajçak.