Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës nesër nga ora 12:00 do të protestojnë në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Ata përmes këtij veprimi sindikal po kërkojnë rritje pagash.
Krahas rritjes së pagës punëtorët e KEK-ut, po kërkojnë edhe pagesën për shujtën ushqimore, rrezikshmërinë në punë, pagesën për punën në vikend sipas Ligjit të Punës, si dhe respektimin e vendimeve të gjykatës po për këtë kërkesë.
Kryetari i Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica, u shpreh se kjo protestë do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza”, dhe kërkesat e tyre janë esenciale.
Ai tha se edhe premtimet e bëra për rritje të pagesës për shujtën dhe marrëveshjen kolektive, nuk janë realizuar.
Llumnica: Kërkojmë ngritje të pagave
“Me qëllim që të bëjmë edhe ne një presion për ngritje të pagave dhe kjo kërkesë ka rezultuar prej prillit të vitit 2022, e asnjëherë nuk ka gjetur mbështetje, madje gjatë takimeve është thënë se nuk do të ketë ngritje të pagave. Ne e dimë që në Kosovë ka ndodhur një ngritje e pagave edhe prej buxhetit të shtetit, nuk është ndonjë ngritje shumë e madhe, por simbolike dhe sadopak e them atë inflacioni, kurse ne si kompania më e fuqishme në Kosovë, si KEK, që është shumë e domosdoshme dhe jetike, nuk kemi ngritje të pagave. Kemi rrezikshmëri në punë po nuk paguhet rrezikshmëria për punëtorë, kemi punë të rëndë po ushqimi është i lehtë sepse kemi një shujtë të ushqimit 1 euro e 74 cent, pra edhe pse kemi pas premtim nga menaxhmenti, mund të them më shumë drejtori se prej 22 shtatorit, shujta e ushqimit do të ngritet në rast se nuk hapen restaurante por kjo nuk ka ndodhur”, tha Llumnica.
Kërkesë tjetër e punëtorëve të KEK-ut, është edhe pagesa e vikendeve për punëtorët me ndërrime. Llumnica tha se menaxhmenti i KEK-ut, nuk po respekton vendimet e gjykatave të Kosovës për këtë çështje.
Llumnica: Punëtorëve me ndërrime nuk iu paguhen 50% puna në vikend
“Ne kemi edhe pagesën e vikendeve për punëtorët me ndërrime të cilëve nuk iu paguhen 50% ashtu siç e përcakton ligji, kemi fitua me Gjykatën Themelore ,të Apelit, Supreme e nuk e di çka ka kërkuar Kushtetuesja aty por edhe ajo na e ka dhënë të drejtën, dhe KEK prapë nuk e respekton këtë vendim të gjykatës dhe ne mund ta quajmë si keqmenaxhim sepse nëse pritet përmbarimi normalisht se është një humbje financiare”, tha ai.
Në përkrah kësaj proteste i ka dal edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Kryetari i BSKPK-së, Atdhe Hykolli u shpreh se kërkesat e punëtorëve të KEK-ut, janë të ligjshme dhe minimale.
Hykolli: BSPK përkrah protestën e punëtorëve të KEK-ut
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e përkrahë vendimin e kryesisë ekzekutive të Sindikatës së Re të KEK-ut për këtë protestë, dihet gjithmonë sindikatat i përdorin mjetet e tyre sindikale për të arritur qëllimin. Por, ky qëllim është shumë minimal kërkohet një rritje e pagës për arsye se ne sot në Kosovë kemi ngritje marramendëse të ccmimeve…BSPK kërkon nga drejtori menaxhues i KEK dhe bordi i KEK që sa më parë të ulen të diskutojnë me Sindikatën e Re të KEK-ut dhe t’i arrijnë rezultatet ”, u shpreh Hykolli.
Ndërsa, nënkryetari Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Selatin Sadiku kërkoi që kërkesat e tyre të plotësohen sa më shpejt, në të kundër paralajmëron edhe radikalizim të veprimeve të tyre.
Sadiku: Kërkesat të na plotësohen sa më shpejt, mos të marrim hapa më radikal
“Aseti më i rëndësishëm i KEK-ut janë punëtorët, fal angazhimit maksimal të punëtorëve sot jemi kompania më profitabile në vend dhe prodhojmë një produkt jetik për qytetarët e Kosovës. Në KEK për momentin kemi mbetur 3200 punëtorët, ndërsa në skemë janë diku 5200. Nëse merret kjo shifër për bazë angazhimi është maksimal i punëtorëve, punohet me tri ndërrime…Kërkojmë nga menaxhmenti i KEK-ut, që kërkesat të na plotësohet sa më shpejt, të mos na fusin të marrim hapa më radikal sindikal”, theksoi ai.
Kryetari i DPQ, Xhelal Jashari kërkoi pjesëmarrje masive të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës në protestën e nesërme.