Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar përfaqësuesit e grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, gjatë qëndrimit të tij në Strasburg.
Kurti, në këtë takim u prit nga eurodeputetja spanjolle, Iratxe Garcia Perez e cila është drejtuese e këtij grupi, eurodeputetin nga Kroacia, Tonino Picula dhe zëvendëskryetarin për Punë të Jashtme të Aleancës Progresive të Socialistëev dhe Demokratëve, Pedro Marques.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se eurodeputetja spanjolle, Garcia Perez, e ka mirëpritur lajmin pozitiv në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, por edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Në emër të Grupit të Social Demokratëve në Parlamentin Evropian, ajo u shpreh e gatshme për të punuar së bashku në mbështetje të kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në anën tjetër, Kurti ka falënderuar grupin e Social Demokratëve për mbështetjen, sipas tij, në rrugëtimin e Kosovës në proceset e integrimit evropian, teksa ka përmendur edhe marrëdhëniet mes Kosovës e BE-së, solidarizimin me Ukrainën e strehimin e gazetarëve ukrainas.