Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka marrë pjesë sot në komisionin parlamentar në Parlamentin Evropian për Stabilizim Asocim mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Krasniqi nga Strasburgu i Francës tha në Parlamentin Evropian se që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian para 7 vitesh, të gjitha Qeveritë në Kosovë e kanë marrë shumë seriozisht këtë marrëveshje.
“Më vjen mirë që po takohemi sot këtu në Strasburg. Dëshiroj të falënderoj Parlamentin Evropian për qartësinë që ka në mbështetje të rrugës së Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Vit pas viti është përgatitur Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së”, tha ajo.
Sipas saj, siç parashihet edhe në MSA, fqinjësia e mirë është element qenësor për paqe, stabilitet dhe integrim evropian të Ballkanit Perëndimor.
Ndër të tjera, Krasniqi u shpreh se në funksion të paqes afatgjate, rajoni ka nevojë për qartësi dhe progres konkret në integrimin evropian.
“Vetëm kështu vuloset paqja afatgjatë në rajon. Besoj se të gjithë pajtohemi se kjo mund të arrihen vetëm përmes normalizimit të plotë të marrëdhënieve fqinjësore, i cili proces nënkupton njohjen e realitetit dhe marrjen e përgjegjësisë për të kaluarën. Në këtë kontekst, dialogu Kosovë-Serbi është mekanizmi i vetëm për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve”, theksoi Krasniqi.
Po ashtu, ajo tregoi se normalizimi i marrëdhënieve me fqinjin verior është parakusht për paqe afatgjate në rajon, që arrihet vetëm me njohje reciproke.
“Dialogu nuk është çështje e izoluar mes Kosovës dhe Serbisë, por është e karakterit gjeostrategjik.Kosova ka histori të negocimit me Serbinë. Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Serbia e kishte të qartë se Kosova e pavarur ishte realitet i pakthyeshëm, dhe se duhej dialoguar për normalizim të marrëdhënieve”.
“Më 2011, në Bruksel nisi dialogu teknik për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve që nuk e njihnin njëra-tjetrën. U arritën disa marrëveshje: për pikat kufitare, për lëvizje të lirë, për tregti të lirë dhe vulat doganore, për organet e drejtësisë, për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale, për integrimin e serbëve në polici, për kodin telefonik, për pavarësimin energjetik, për hapjen e zyrave të gjendjes civile në komunat në veri, për vendosjen e institucioneve qendrore në veri etj”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi u shpreh se vë vitin 2014 nisi Procesi i Berlinit, ku disa nga çështjet e dialogut teknik Kosovë-Serbi u ngritën në çështje të bashkëpunimit rajonal.
“Falë këtij dialogu, janë krijuar realitete të pakthyeshme: Kosova e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimit Evropian, si hap i parë formal drejt integrimit evropian, në veri u vendosën institucionet e rendit dhe ligjit, autoritetet lokale u zgjodhën sipas ligjeve të Kosovës, u shpërbënë strukturat joligjore, u funksionalizuan pikat kufitare dhe doganore, u hap Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd”, theksoi Krasniqi.
Për Krasniqin, sot Kosova ka nevojë për dialog për marrëveshje që është: përfundimtare – e jo të ndërmjetme; ligjërisht e obligueshme – që ratifikohet në Kuvendet e të dyja vendeve; me garanci ndërkombëtare – ku BE-ja dhe ShBA-ja marrin zotimet për zbatim të marrëveshjes, si dhe për integrimin euro-atlantik të Kosovës; për normalizim të marrëdhënieve – ku adresohen të gjitha çështjet sipas standardeve evropiane të fqinjësisë së mirë; si dhe për njohje reciproke.
Krasniqi shprehu mbështetjen e opozitës ndaj procesit të dialogut, megjithatë përmes planit franko-gjerman, dialogu do të vazhdojë për shumë vite.
“Marrëveshja e dakorduar më 27 shkurt 2023 nuk është e tillë. Me këtë marrëveshje, dialogu do të vazhdojë për shumë vite. Megjithatë, marrëveshja e ka një anë të mirë: e ka ndalur degradimin më tutje të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Si përfaqësuese e opozitës, unë shpreh mbështetjen tonë ndaj procesit të dialogut”, shtoi ajo.
“Ne do të jemi në krah të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila është bartëse e këtij procesi sipas Kushtetutës së Kosovës. Por, insistojmë që dialogu të fokusohet vetëm në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Çdo marrëveshje tjetër e lë mundësinë e hapur për jo stabilitet në rajon”, tha ajo.
Të mërkurën, ajo foli edhe për problemin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Krasniqi, theksoi se Serbia shkel të drejtat e shqiptarëve atje, duke i fshirë ata nga regjistri civil në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.
“Unë ju bëj thirrje juve që të angazhoheni për ndaljen e menjëhershme të këtij diskriminimi, fillimisht duke miratuar një rezolutë në Parlamentin Evropian. Bashkimi Evropian duhet të merret me këtë çështje sa më parë si çështje e të drejtave elementare njerëzore. Askush nuk mund ta tejkalojë këtë çështje si një problem administrativ”, përfundoi ajo.