Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe njëherë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai, kur është pyetur se a ka hapësirë që të rinegociohet ose të krijohet Asociacioni bazuar në kushtet që tani ka propozuar kryeministri Kurti, ka thënë se është e vështirë të rinegociohet diçka që nuk është negociuar.
“Është e vështirë të rinegociohet diçka e cila ende nuk është negociuar. Andaj, ka ende hapësirë për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe në fakt mendojmë se është prioritet dhe kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të lëvizë para me këtë, pa marrë parasysh se çfarë bën apo nuk bën Beogradi. Sepse siç thashë, vizioni ynë është se ky është një obligim ekzistues por edhe do të ishte gjë e mirë për Kosovën”, është shprehur Hovenier.
Sipas tij, nuk është e përshtatshme që Kosova të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Dua të përsëris atë që e ka thënë SHBA-ja në mënyrë të vazhdueshme, se ne i kuptojmë disa prej shqetësimeve që janë ngritur dhe ne besojmë se është shumë e rëndësishme se asociacioni të kontribuojë në funksionimin e duhur të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës. Kështu që ne kemi qenë të qartë, ne nuk besojmë se është e duhur për Kosovën që të pajtohet për çkado që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ne nuk besojmë se është e përshtatshme për Kosovën të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Këto janë disa nga udhëzimet”, ka thënë Hovenier.
Hovenier ka thënë se çështjen e Asociacionit duhet ecur para, pasi siç thotë ky është një element i rëndësishëm për ta ripozicionuar marrëdhënien Kosovë-Serbi.
“Por në këtë hapësirë ka mjaft opsione se çfarë do të jetë kjo gjë. Shpresa jonë është edhe nëpërmjet këtij procesi këtë fundjavë dhe veprimit pasues të qeverisë, kjo do të ecë para, sepse mendojmë se është një element shumë i rëndësishëm për ta ripozicionuar marrëdhënien Kosovë – Serbi, duke e pasur këtë status quo të re dhe më pozitive, por edhe i ndihmon Kosovës që të jetë më e suksesshme në atë që është: një shtet demokratik multi-etnik, që ka provizione dhe struktura për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë të qytetarëve nga komunitetet pakicë. ..Andaj çfarëdo del nga ky proces duhet të jetë një lloj asociacioni, dhe duhet të përbëhet nga komunat që kanë një shumicë serbe”, ka thënë ndër të tjera ambasadori amerikan.
Në takimin e 18 marsit në Ohër, Hovenier tha se pret që të diskutohet për këtë çështje, por vetëm në aspektin e të ecurit përpara dhe mënyrës se si; jo për të folur lidhur me strukturën e Asociacionit.
“Andaj besoj që çështja është se nuk do të ketë negociata të plota të cilat do të përcaktojnë funksionimin apo formën komplete të Asociacionit por shpresoj që në Ohër duhet të ketë mirëkuptim që kjo çështje të lëvizë përpara dhe mirëkuptim rreth asaj se si të lëvizë para”, tha ambasadori amerikan.