Luzha: Në Ohër do të nis procesi për Asociacionin, por s’do të përfundojë aty

Aktuale

Luzha: Në Ohër do të nis procesi për Asociacionin, por s’do të përfundojë aty

Më: 15 mars 2023 Në ora: 23:26
Besa Luzha

“Procesi i marrëveshjes me Serbinë nis në Ohër”, kjo është mënyra se si aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha e sheh takimin e shumë pritur në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiqi lidhur me planin evropian të shtunën e kësaj jave.

Luzha ka thënë se në këtë takim do të fillojnë negociatat, mosmarrëveshjet e marrëveshjet mes palëve, duke theksuar se mjafton që Kosova të tregoj gatishmërinë për themelimin e Asociacionit.

“Negociatat do të fillojnë tek aneksi i zbatimit, aty do të fillojnë negociatat e mëtutjeshme, marrëveshjet dhe mos marrëveshjet. Sepse në një nga ato pikat është gjetur një formulim kreativ për momentin për t’i ulur palët dhe për të biseduar. Asociacioni nuk është diçka që sot bëhet edhe po të jetë krejt vullnet i shqiptarëve të Kosovës të bëhet, dy ditë para Ohrit s’mund të bëhet, duhet të tregohet që Kosova e ka një obligim ndërkombëtar në bazë të marrëveshjes të 2013, 2015 dhe mjafton që institucionet tona të thonë se jemi për ta zbatuar atë obligim por modalitetet dhe detajet do t’i shohim ngadalë varësisht si shkon marrëveshja.”, ka thënë ajo.

Aktivistja e shoqërisë civile, ka thënë se është shumë optimiste se në Ohër do të nis procesi i marrëveshjes dhe se nuk do të ketë nënshkrim formal por vetëm dakordim, duke theksuar se atje do të nis edhe diskutimi për Asociacionin.

“Nuk mund të jemi naiv që sot Kurti e nënshkruan dhe sot themelohet Asociacioni, pra në këtë moment pritet vetëm gatishmëria dhe kjo është thënë nga Kosova disa herë duke thënë se jemi duke shikuar modalitetet, duke analizuar alternativat etj. Unë jam optimiste se në Ohër do të nis procesi i marrëveshjes, nuk është se do të përfundoj aty, ndoshta as s’do të ketë nënshkrim formal, por vetëm dakordim me insistimin amerikan, aty mund të niset diskutimi i mëtutjeshëm për Asociacionin.”, deklaroi ajo.

Si pjesë teatrale, Luzha ka parë reagimet e të dyja palëve lidhur me planin evropian duke thënë se propozimi evropian është i pranueshëm nga të dyja palët.

“Makro plani që është i përshkruar në 11 pika duket se është i pranueshëm nga të dyja palët. Ata kanë aktruar pak të dyja palët, Serbia më shumë se Kosova në kuptimin që me gjet diçka që nuk ju shkon për shtati, por si makroplan nëse ata janë dakorduar që mbi të t’bisedojnë, ata nuk kanë se si të largohen nga ky plan 11 pikësh.”, përfundoi ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat