Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova, ka folur rreth mundësisë së diskutimit për personat e pagjetur në takimin e 18 marsit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Kumnova ka thënë se shkon shpesh të kryeministri Kurti dhe e pyet se pse veç djali i saj Albioni (i zhdukur me dhunë gjatë luftës) nuk është kthyer nga Serbia.
“Unë shkoj shpesh në takime me Kurtin, kërkoj që pse veç djali jem Albioni nuk është kthy, kur krejt grupi është kthy nga Serbia, janë gjetë edhe varrezat e Poruqacit, po vetëm Albioni nuk është. Edhe në qytetin e Gjakovës të gjitha familjarët kemi mbajtë protesta të panumërta për vite të tëra kështuqë me siguri e kemi shty edhe Serbinë e bashkësinë ndërkombëtare t’i kthej të dashurit tanë. Në Gjakovë janë vetëm 16 persona ende të pagjetur.”, ka thënë ajo.
Tutje, Kumnova ka thënë se Kurti duhet t’i kuptoj sepse vet ka qenë ish- i burgosur dhe në atë kohë të gjithë kanë protestuar për t’u liruar të burgosurit, ndërsa tani sipas saj askush s’po ua kupton dhimbjen.
“Kryeministri Kurti duhet me na kuptu se vet ka qenë ish-i burgosur politik, dhe atëherë vet ne kemi bërë protesta gjithë popullore dhe janë liruar të gjithë të burgosurit në burgjet e Serbisë. Kurse për ne, ndoshta nuk po na kuptojnë brengën e dhimbjen edhe pse kaluan 23 vite, jeta është në ankth, si e nënës si e babës është jeta shumë e vështirë. Vetëm ata që jemi në këtë gjendje e kuptojmë njëri tjetrin, të tjerët nuk na kuptojnë.”, ka thënë ajo.
Tutje, Kumnova ka thënë se çdo ditë e kalojnë në ankth duke pritur se mos po dëgjojnë ndonjë lajm për familjarët e pagjetur nga mediat.
“Kur ne flasim shumë pak për këtë çështje atëherë pse i huaji nuk na e di neve dhimbjen, delegacionit vin përditë, ne çdo natë mbajmë sytë nga mediat se mos po na kallxojnë diçka për më të dashuritë tanë. Jeta në ankth shumë e vështirë, bim në gjumë e s’na merr në gjumë, ose i shpalosim edhe fotografitë e më të dashurve tanë. Shpresoj që këtë vit, Kurti na ka premtu që do të zgjidhet fati i të pagjeturve.”, ka përfunduar ajo.