Takimi me krerët e shtetit, Escobar pret lajme të mira pas të shtunës

Aktuale

Takimi me krerët e shtetit, Escobar pret lajme të mira pas të shtunës

Më: 17 mars 2023 Në ora: 08:01 Përditësuar në ora: 12:28 më 17.03.2023
Presidentje Vjosa Osmani dhe Gabriel Escobar

​Konjufca: Çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet të respektojë rendin kushtetues

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Konjufca ka shkruar në Facebook se Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon.

“Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. E falënderova emisarin Escobar për angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut dhe shpreha gatishmërinë për fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit të ndërsjellë, si dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.

Escobar shoqërohej nga Alyson Grunden, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA-së në Kosovë, Paul Pfeuffer, Këshilltar për Çështje Ballkanike në Departamentin e Shtetit dhe Greg Viola, zyrtar politik në Ambasadën Amerikane. 

​Osmani dhe Escobar presin rezultat pozitiv në Ohër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret rezultat pozitiv në takimin e nesërm në Ohër, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Mirëpo, ajo theksoi se çdo tendencë e Serbisë për të penguar marrëveshjen përmes kushtëzimeve e dëmton dialogun.

Pas takimit me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për dialogun, Gabriel Escobar të premten, Osmani, tha se Kosova angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe qasje konstruktive.

Osmani: Kosova shkon drejt Ohrit me shpresë për një rezultat pozitiv

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe qasje konstruktive, siç ka bërë për gjatë gjithë këtij procesi dhe sidomos tani duke kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet takimi në Ohër. Ne besojmë fortë se një marrëveshje e drejtë, qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjate, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe shpresë për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për të penguar këtë rezultat përmes kushtëzime mund të dëmtojë pastaj tërësisht procesin e dialogut”, tha ajo.

Në konferencën për medie, Osmani tregoi pritjet e saj për marrëveshjen me Serbinë në bazë të planit të Bashkimit Evropian, ku tha se e njëjta do t’i sjell rezultate konkrete dhe të prekshme Kosovës.

Osmani: Marrëveshja do të sjell rezultate konkrete për Kosovën

“Pritshmëria si presidente e Republikës është se marrëveshja do të sjell rezultate konkrete të prekshme për Kosovën, rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucione euro-atlantike. Do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës. Kjo do të rezultojë pastaj me shpërbërjen efektive të menjëhershme të gjitha strukturave ilegale të Serbisë. Po ashtu kjo marrëveshje përfshinë parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare që do të shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke”, shtoi presidentja Osmani.

Në anën tjetër, ajo tha se marrëveshja bashkë me aneksin e zbatimit duhet të miratohen në Kuvend, ku përmendi nevojën edhe për konsensus brenda partive politike.

Ajo nënvizoi sërish se rendi kushtetues, integriteti territorial, sovraniteti dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës duhet të ruhet në çdo proces negociator.

Osmani: Marrëveshja bashkë me aneksin e zbatimit të miratohen në Kuvend

“Është me rëndësi të përsërisë që rendi kushtetues i Kosovës, integriteti territorial, sovraniteti i vendit dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator...Është thelbësore që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e zbatueshme dhe po ashtu të mbështetet nga populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ne do të vazhdojmë të punojmë që të ndërtohet konsensus për gjithë spektrin politik në vend dhe për të siguruar që marrëveshja pasi të nënshkruhet së bashku me planin e zbatimit të miratohet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë transparente dhe demokratike, si dhe zbatimi i plotë i saj të bëhet në mënyrë efektive”, theksoi Osmani.

Ndërkaq, edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u shpreh optimist për rezultat pozitiv në Ohër.

Ai theksoi se propozimi evropian është mundësi e jashtëzakonshme paqeje, ndërsa ka shtuar se SHBA si mbështetëse kryesore e Kosovës do që kjo të funksionojë për Kosovën.

Escobar: Jam optimist për rezultate pozitive në Ohër

“Mirëpres takime shumë produktive në Ohër bashkë me presidenten e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës. Ne kemi qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësinë për Kosovën dhe Serbisë dhe anëtarët të tjerë të rajonit që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euro-atlantik. Mendojmë së propozimi evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së ofron një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve të rajonit. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe tërë rajonit. Të zhbllokohen disa prej atyre burimeve më të mira që Ballkani ia siguron vetës dhe krejt Evropës. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira”, tha ai.

Gjatë qëndrimi të tij në Kosovë, Escobar takoi edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Dje ai ishte në Serbi, derisa pritet të jetë edhe nesër në Ohër, në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ku pritet të diskutohet për propozimin e BE-së për dialogun dhe zbatimin e tij.

​Nis takimi Kurti-Escobar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka nis takimin me Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Escobar ka takuar sot edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën.

Kurse, mbrëmë ka takuar përfaqësuesit e partive opozitare.

Escobar po qëndron në Kosovë, pas vizitës që pati në Serbi, ku u takua me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.

Këto takime po zhvillohen vetëm një ditë para mbajtjes së takimit në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Atje pritet edhe nënshkrimi i planit të zbatimit të propozim marrëveshjes së ofruar nga BE-ja, për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Nis takimi mes Konjufcës dhe Escobarit

Ka filluar takimi mes kryeparlamentarit Glauk Konjufcës dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në këtë takim nuk do të ketë deklarim për media.

​Osmani: Kosova shkon në Ohër me shpresë për rezultate pozitive

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova shkon në Ohër me shpresë për rezultate pozitive.

Ajo në konferencë për media, pas takimit me emisarin e ShBA-së, Gabriel Escobar, tha se duhet të arrihet një marrëveshje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë, ku trajtohen si dy shtete të barabarta.

Megjithatë, ajo tha se Serbia nuk duhet të bëjë obstrukcione.

Emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escboar, është shprehur optimist për një zgjidhje pozitive për takimin e nesërm në Ohër.

Pas takimit me presidenten Osmani, emisari Escobar tha se qëllim i ShBA-së është të krijojë paqe mes dy vendeve dhe në rajon përgjithësi.

Escobar gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohet edhe me kryeministrin Kurti.

Escobar pas takimit me Osmanin: Shpresoj për lajme të mira pas takimit në Ohër

Emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar ka thënë se pret rezultat pozitiv nga takimi i 18 marsit në Ohër.

Ai ka thënë se plani evropian jep një mundësi të madhe për paqe për Kosovën dhe Serbinë.

Escobar ka thënë se pret rezultat pozitiv në Ohër dhe se është optimist për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të fjalë së tij ka thënë se shpreson për lajme të mira pas të shtunës.

“Mirëpres takime produktive në Ohër. Ne kemi për qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësit për Kosovën dhe Serbinë për tu bërë pjesë e komunitetit euro-atlantik. Ky propozim jep një mundësi të madhe për paqe për të dy vendet. Ne kemi synim që kjo të funksionoj për Kosovën por jo vetëm për Kosovën. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër. Jam shumë optimist për një zgjidhje një paqësore. Dhe shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira”, ka thënë Escobar.

Nis takimi i Esobarit me Osmanin

I dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tashmë ka arritur në Presidencë ku ka nisur takimi me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Siç është bërë e ditur, takimi do të pasohet me një konferencë për media.

Pas Osmanit, emisari amerikan do të niset drejt Kuvendit të Kosovës, ku në takim do ta presë kryekuvendari Glauk Konjufca.

Në njoftimin për media, bëhet e ditur se ky takim pritet të zhvillohet me fillim nga ora 10:20.

Qëndrimin e tij në Prishtinë, Escobar do ta finalizojë me kryeministrin Albin Kurti.

Kryeministri Kurti, do ta presë emisarin amerikan në zyrë të tij në ora 11:00.

Në komunikatën e Kryeministrisë, nuk përmendet se Kurti dhe Escobar do të deklarohen për media.

Ndërkaq, mbrëmjen e së enjtes, emisari i ShBA-ve, Gabriel Escobar, zhvilloi një darkë me opozitën, nisur nga fakti se dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë shprehur rezerva lidhur me propozimin evropian.

Në këtë darkë, që u mbajt në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, prezentë ishin Memli Krasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK, dhe Ardian Gjini nga AAK, i cili e zëvendësoi liderin Haradinaj pasi ky i fundit gjendet jashtë shtetit.

Escobar dy ditët e fundit qëndroi në Serbi, ku paraditen e së enjtes në konferencë për media foli edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, teksa tha se nuk pret marrëveshje, por që ajo përfundimtare pret të ndodhë brenda vitit.

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor tha se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.

Ndërsa, fakt si fakt të kryer e cilësoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se asociacioni do të bëhet, por çështja është se sa shpejt do të ndodhë kjo dhe cili model do të aplikohet.

Escobar sot takon Osmanin, Konjufcën dhe Kurtin

Presidentja e Republikë s së  Kosovë s, Vjosa Osmani, sot pritet të takohet me të dërguarin Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të presidencës, takimi do të mbahet nga ora 09:00 e paradites.

“Ndërsa në orën 10:00, pas takimit, Presidentja Osmani dhe zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar, deklarohen për media”, thuhet në njoftim.

Më pas, nga ora 10:20, emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Escobar, do të pritet në zyrë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Dhe, në fund do të takojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, prej orës 11:00.

Vizita e Escobarit në Kosovë vjen dy ditë përpara takimit të 18 marsit në Ohër, ku kryeministri i vendit, Albin Kurti, do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Temë kryesore e takimit të Ohrit do të jetë aneksi i Planit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat