Ligji kundër duhanit në hapësira të mbyllura vazhdon të mos respektohet nga shumica e lokaleve. Por “ultimatumi” i djeshëm nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, se do të ketë tolerancë zero, nuk po respektohet as në objektet qeveritare.
EO ka fotografuar sot në bufenë e ndërtesës së Qeverisë, së njohur si ish-Rilindja, persona duke konsumuar duhan, “si në odë të babës”.
Në këtë ndërtesë janë të vendosura Ministra e Drejtësisë dhe disa ministri të tjera.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që duke u bazuar në përgjegjësitë ligjore, si dhe interesimin për funksionalitet të plotë karshi mandatit dhe përgjegjësive që ka, të marrë masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit, si dhe shtim të aktivitetit të inspektorëve sanitarë në teren.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë, ministri Peci ka thënë se çdo qytetar i Kosovës gëzon të drejtën ligjore që të mbrohet nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit.

“Nga sot, zero tolerancë ndaj duhanit në ambiente të mbyllura, hapësira publike, të punës, në hapësira të transportit publik dhe në çdo hapësirë tjetër që përcaktohet me Ligjin Nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit”, ka thënë Peci.
Ai ka njoftuar gjatë ditës së djeshme, se pas inspektimeve në tërë Kosovën janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave në lidhje me moszbatimin e Ligjit për duhanin.
“Ligjet janë bërë që të zbatohen e jetësohen në praktikë e jo që të mbeten në letër! Pas inspektimeve të ditës së djeshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave; gjë e cila nuk na bën të lumtur. Mirëpo zbatimi i ligjit nuk ka alternativë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ministri ka ftuar qytetarët që të raportojnë rastet e mos-zbatimit të Ligjit për Duhanin.
Sipas ligjit, i cili ka hyrë në fuqi një dekadë më parë, por nuk është zbatuar në mënyrë rigoroze, ndalohet pirja e duhanit në hapësira publike, ku përfshihen lokalet hoteliere dhe shërbyese, hapësirat e punës, mjetet e transportit publik etj.
Ligji për kontrollin e duhanit është miratuar në vitin 2013, ndërsa ndryshimet dhe plotësimet në pjesën e Ligjit ku parashihen gjobat, kanë hyrë në fuqi në fillim të vitit 2022.
Sipas Ligjit kundër duhanit, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj, për subjektet afariste gjoba është nga 1,000 deri në 3,000 euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.