Hovenier deklarohet përsëri: Zbatimi i marrëveshjes është kritike për të ardhmen e Kosovës

Aktuale

Hovenier deklarohet përsëri: Zbatimi i marrëveshjes është kritike për të ardhmen e Kosovës

Më: 20 mars 2023 Në ora: 07:52
Jeff Hovenier

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se zbatimi i marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës.

Hovenier përmes një postimi në Twitter, ka theksuar se SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë popullit të Kosovës.

“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin e Kosovës për të realizuar një nga prioritetet tona kryesore, të përbashkëta: sigurimin që Kosova të zë vendin e saj të merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Hovenier.

Takimi i 18 marsit në Ohër, solli një tjetër pajtim mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket procesit të dialogut. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat