Abdixhiku: Nuk jam i sigurt që do të ketë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Aktuale

Abdixhiku: Nuk jam i sigurt që do të ketë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Më: 21 mars 2023 Në ora: 21:57
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka mundësi që sërish të shtyhet data e mbajtjes së zgjedhjeve në komunat veriore të vendit, e cila është caktuar më 27 prill të këtij viti.

Në Rubikon, Abdixhiku ka thënë se përgjegjëse për situatën me zgjedhjet në veri të vendit, të cilat kishin për t’u mbajtur më 18 dhjetor të vitit të kaluar, është Qeveria.

“Ende nuk kemi zgjedhje në veri, është duke u shtyrë vazhdimisht afati dhe nuk jam i sigurt që do të ketë kushte për të mbajtur zgjedhje në veri. Në qoftë se nuk ka kushte, siç u shtynë në herën e parë, do të mund të shtyheshin sërish”.

“Kushtet e herës së kaluar ishin çështjet e sigurisë. Ky është arsyetimi i presidentes Vjosa Osmani për shtyrjen e zgjedhjeve në veri. Supozoj se në qoftë që nuk ka vullnet politik tani, përgjegjëse për këtë situatë në Kosovë është Qeveria”, ka thënë Abdixhiku.

Zgjedhjet në katër komunat në veri u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Më pas u caktua data e zgjedhjeve, pas kësaj u sulmuan zyret e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, dhe u detyrua të shtyhet data për prill të këtij viti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat