Analisti politik, Gazmir Raci përmend disa që sipas tij janë të arritura të kësaj qeverie.
Por, ka përmendur edhe problemet me të cilat është ballafaquar e njëjta dhe se disa ministri kanë dështuar në menaxhim.
“Qeveria “Kurti 2” erdhi në momente kritike për shkak se ishim duke u ballafaquar me pandeminë dhe kishim mungesa në vaksina dhe arriti që vaksinimin ta mbërrij në 60% të popullsisë dhe kjo ishte një ndër të arriturat e këtij procesi, e dyta kjo qeveri u ballafaqua me krizën e inflacionit dhe këtu mendoj që Qeveria nuk ka arritë me i dalë ballë rritjes së çmimeve në disa sektor. Ka pas probleme, në rritjen e çmimit të naftës, produkteve bazike dhe disa ministri të linjës kanë dështuar në menaxhimin e asaj situate”, është shprehur Raci.
Ndërsa, ka dhënë komente pozitive sa i përket situatës në dialog me Serbinë.
“Nëse flasim, për dialogun unë mendoj që kjo qeveri i ka lënë disa gjurmë të mira në dialog, sepse për të herë nuk i ka leju serbët me i realizuar zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë qysh ata kanë dashtë, pastaj e ka ndalu referendumin, dhe e treta është që reciprociteti është vendos si pjesë e pashmangshme në çdo marrëveshje. Natyrisht që ka pas sfida edhe dialogu”, ka thënë ai.
Për punën e Qeverisë “Kurti 2”, media ka provuar që të marrë përgjigje edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, por që disa nga deputetët e kësaj partie nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.
Por, tashmë ulëset në Kuvend për VV-në dhe LDK-në kanë ndryshuar pasi që nga partia në pushtet janë larguar tre deputetë, ku njëra nga to i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.