Pensionisti Sabit Ramadani ka treguar se nuk është aspak i kënaqur me pensionin që e merr.
“Besoj se asnjë pensionist nuk është i kënaqur me pagën që e merr, sidomos tash kur inflacioni rritet vazhdimisht”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, krerët e Qeverisë, po i rrisin pagat për kategoritë tjera, duke i lënë në harresë, moshën më të ndjeshme.
“Pushtetarët janë duke u marr me rritjen e pagave për të tjerët, ndërsa moshën e tretë, pothuajse 100% me terapi, nuk po e përmend askush. Jemi të diskriminuar, nuk ka shpresë as nga kjo qeveri”, ka deklaruar ai.
Ndonëse shërbimet mjekësore në institucionet e shtetit i kanë falas, Ramadani ankohet për çmimin e lartë të barnave.
Sipas tij, gjëja më sfiduese për ta mbetet aspekti shëndetësor.
“Shërbimet mjekësore në institucionet shtetërore janë falas, gjë qe është e mirë, por barnat po kushtojnë shumë shtrenjtë. Është e pamundur me 100 euro, të mendojmë vetëm si të mjekohemi, kur kemi shumë obligime tjera. Ndoshta dikush e kalon më lehtë, por çka me ata të cilët jetojnë vetëm. Shumica e pensionistëve kanë gjendjen shëndetësore të rënduar dhe mundësia është e vogël për ta trajtuar atë”, u shpreh Ramadani.