Problemi i pasaportave është zgjidhur më në fund.
Kosovarët po e marrin këtë dokument pa problem që nga fillimi i marsit.
Kjo është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“MPB është furnizuar me material për dokumente personale të identifikimit”, thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.
Furnizimi vjen pas një kohe të gjatë qëkur qytetarët nuk po mund të nxirrnin pasaporta.
Kontrata për furnizim është nënshkruar në dhjetor, ka vlerë 4 milionë e 21 mijë e 180 euro dhe i është dhënë kompanisë gjermane “Veridos GmbH”.
Kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 12 muaj dhe parasheh furnizimin me dokumente blanko, si pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë.
Saktësisht, parashihet furnizimi me 290 mijë pasaporta të zakonshme, 270 mijë e 208 letërnjoftime elektronike TIP A, 7 mijë leje qëndrim TIP C, 125 mijë patentë shoferë dhe mirëmbajtja e sistemeve për 12 muaj.
“Aktualisht kemi material të mjaftueshëm për dokumente”, thanë nga MPB-ja.
Tutje nga Ministria, e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, ka thënë se punojnë që të shkurtojnë pritjet e qytetarëve për dokumente.
“Pajisja e qytetarëve me dokumente personale është duke vazhduar dhe MPB po punon me kapacitete të plota që sa më shpejtë të jetë e mundur të përfundojnë të gjitha pritjet e qytetarëve”.