Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë Muhamet Rrumbullaku ka pritur në takim miqësor drejtorin e Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha.
Temë e këtij takimi ka qenë zgjerimi i bashkëpunimit mes Policisë së dy vendeve.
“Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes Policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Të dy drejtuesit e policive theksuan rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes drejtuesve të strukturave të hetimit të krimit, të kufirit dhe atyre të sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me propozim të drejtorit të përgjithshëm të policisë së Shqipwrisw, uhamet Rrumbullaku u dakordua zgjerimi i hetimeve të përbashkëta dhe operacioneve, veçanërisht në drejtim të goditjes së krimit të organizuar, shkëmbimit në kohë të informacioneve për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim të cilët shpesh shfrytëzojnë dy vendet për t’iu fshehur drejtësisë së vendit ku ata kryejnë krime.
Rëndësi e veçantë iu kushtua dhënies së mbështetjes reciproke në fushën e teknologjisë së informacionit, në veçanti në fushën e krimeve kibernetike.
Dy homologët vunë theksin te patrullimet e përbashkëta në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në patrullimet e përbashkëta për sigurinë rrugore, duke qenë se gjatë sezonit veror fluksi i lëvizjeve nga Kosova drejt zonave bregdetare të Shqipërisë është shumë i lartë.
Po ashtu, u diskutua edhe rreth koordinimit dhe bashkëveprimit të të dy policive, në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.