Është përkujtuar 24 vjetori i një prej masakrave më të mëdha, që forcat serbe kanë kryer në Kosovë, gjatë luftës së fundit. Masakra e Izbicës, rikthen dhimbjen për përjetimet e tmerrshme të një gjenocidi. Familjarët dhe të mbijetuarit kanë rrëfyer momentet e përballjes me këtë krim kundër njerëzimit.
Në “Luginën e Lotëve” në Izbicë të Skenderajt, tash e 24 vjet nuk pushojnë lotët.
Në këto lëndina, pushojnë eshtrat e 147 civilëve shqiptarë, të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, në mesin e tyre, burra, gra e fëmijë.
Si në çdo përvjetor, familjarëve u rikthehen dhimbjet për përjetimet e tmerrshme të krimeve monstruoze të 28 marsit të vitit 1999.
Hylë Shala, tregon momentin kur serbët me thikë në fyt e ndanë atë nga djali i saj.
Rrëfimet për krimet serbe, sa të dhimbshme, janë edhe rrëqethëse.
Familja Dervishi, ende ruan monedhat që më të dashurit e tyre mbanin në momentet e fundit të jetës, teksa në to kanë mbetur vrimat e plumbave.
Sipas Rrahim Dragajt, vrasja e civilëve, ndodhi në Ditën e Bajramit.
I mbijetuari i masakrës së Izbicës, Milazim Thaqi, tregon momentet se si kishte arritur t’i shpëtonte breshërisë së plumbave dhe se si e kishin vrarë forcat serbe njërin prej bashkëfshatarëve, pasi e kishin diktuar të gjallë.
Sokol Gashi nga Vajniku i Skenderajt thotë se me duart e tij ka varrosur trupat e të vrarëve e të masakruarve.
Forcat serbe, pas këtij gjenocidi kishin tentuar të fshihnin krimin, duke rrëmbyer kufomat e duke i dërguar në Serbi, nga ku vite më vonë ishte zbuluar varreza masive, me ç’rast eshtrat ishin sjellë në Kosovë.
Nga 147 të vrarë e të masakruar, ende nuk janë gjetur trupat e gjashtë personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Familjarët, në çdo përvjetor bëjnë homazhe në varret e zbrazëta, me kërkesën e vazhdueshme për gjetjen e tyre e për drejtësinë e munguar.