​Dëshmitari i tretë në gjyqin kundër Pjetër Shalës: Babai ishte kidnapuar në Shqipëri

Aktuale

​Dëshmitari i tretë në gjyqin kundër Pjetër Shalës: Babai ishte kidnapuar në Shqipëri

Më: 29 mars 2023 Në ora: 08:47 Përditësuar në ora: 15:27 më 29.03.2023
Pjetër Shala

​Dëshmitari i tretë në gjyqin kundër Pjetër Shalës: Babai ishte kidnapuar në Shqipëri

Dëshmitari i tretë i prokurorisë, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka folur për babain e tij për të cilin pretendon se në pranverën e vitit 1999 është mbajtur në një fabrikë metali në Kukës. Atje, sipas tij, ai e kishte kuptuar se ishte Pjetër Shala personi që kishte qenë më herët shtëpinë e tyre.

Ai ka thënë se babai i tij ka punuar polic deri në vitin 1997.

Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se deri në verën e vitit 1998 ai dhe familja e tij kishin jetuar në fshat për t’u larguar pastaj në një vend të afërt, pjesë kjo e seancës që është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

Prej shtëpisë, sipas tij, janë larguar pasi aty kishin shkuar një grup personash të armatosur ku dy prej tyre ishin futur në oborr dhe u kishin kërkuar t’i dorëzonin armët.

Dëshmitari ka thënë se ata dy persona ishin Hamëz dhe Naser Ibrahimaj ndërsa të tjerët sipas tij ishin jashtë oborrit dhe me armët drejtuar shtëpisë.

Aty, ai ka thënë se u është kërkuar që të nesërmen të paraqiten në Jabllanicë.

“Dy personat kanë qenë në uniformë me emblemë UÇK, ata që kanë qenë të gardhi, disa ishin në uniforma por emblemën nuk e kam parë, se ishin diku 25 metra apo 30 metra nuk jam i sigurt, por gardhi që i themi ne ajo është pasuri e jona. Ata janë bërë rresht aty ,armët i kanë drejtuar nga ne dhe këta dy kanë ardhur në oborr kanë biseduar me ne, ne kemi qenë të sulmuar aty, të gjitha armët nga shtëpia jonë i kanë pasur, edhe minahedhësin, ai ka qenë ‘hazer’ për sulm, e këta dy që kanë qenë në oborr, me këta ka biseduar nana dhe vëllai, dhe u kanë thënë nesër vimë në Jabllanicë, po të mos u thoshin ashtu do të mund të ndodhte më keq aty”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se vëllai u kishte dhënë një armë e cila i takonte babait të tyre.

“Armët ia kanë marrë vëllait, ata kërkonin edhe armë të tjera që i kanë takuar babës zyrtarisht, një armë e vogël i është lutur motra dhe vëllai të ja jap, ia ka dhënë atë armë vëllai i vogël dhe i kanë thënë nesër në orën 10:00 me ardh në Jabllanicë të gjithë. Por ne nuk e kemi pritur të nesërmen, atë natë jemi larguar prej aty”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, më vonë, pasi familje kishte shkuar në Shqipëri, babai i tij ishte kidnapuar dhe mbajtur në një fabrikë metali në Kukës.

Këtë, dëshmitari ka thënë se e ka mësuar nga babai i tij.

“Babai ka treguar si e kanë kidnapuar në Shqipëri, si e kanë çuar në një fabrikë të metalit në Kukës, torturuar, rrahur, dhe personat disa i njeh dhe disa nuk i njeh. Aty e ka zbuluar se në sulmin e shtëpisë ka qenë edhe Pjetër Shala. Por ka edhe emra të tjerë për maltretimin dhe rrahjen që ia kanë bërë në Kukës. Atë ditë në Kukës kur e kanë rrahur dhe e kanë biseduar në burg aty, i kanë thënë pse, e kemi pasur ne një kafe të vogël kemi punuar, kafenë që ta kanë gjuajtur kam qenë unë pse e ke kërku tjetër kënd dhe pse nuk dole ti kur të erdha te shtëpia”, ka thënë dëshmitari.

Prokurorja e ka pyetur atë rreth periudhës kur familja e tij janë larguar për në Shqipëri.

Fillimisht dëshmitari ka thënë se nuk e di datën por ishte muaji shkurt apo mars, para bombardimeve të NATO-s.

Prokurorja: A ju kujtohet data kur është larguar familja?

Dëshmitari: Nuk e di.

Prokurorja: A ju kujtohet nëse ka lidhje me ndonjë ngjarje, a ju kujtohet muaji apo viti?

Dëshmitari: Nga fillimi i vitit, ashtu mendoj unë, fillim i vitit, shkurt apo mars.

Prokurorja: Cili vit?

Dëshmitari: 1998... 1999 më falni.

Prokuroja: A ju kujtohet nëse kjo ka ndodhur përpara apo pas bombardimeve të NATO-s?

Dëshmitari: Përpara.

Trupi gjykues do të vazhdojë të dëgjojë dëshminë e këtij dëshmitari edhe në pjesën e fundit të seancës.

Ky është dëshmitari i tretë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Rasti Shala, dëshmitarja thotë se burri i saj kishte probleme shëndetësore e trauma shkaku i torturave në fabrikën e hekurit

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares së dytë të mbrojtur me kodin 6, e cila e kishte filluar dëshminë të martën.

Ajo deklaroi se bashkëshorti i saj kishte pasur probleme të shumta shëndetësore dhe trauma, si rezultat i torturave në fabrikën e hekurit në Kukës.

“Si i dilte gjumi thoshte ku jemi dhe më thoshte bimi djemtë t’i shoh, unë i thoja që djemtë janë ne punë s’munden me ardhë, pyetke ku jemi, unë i thoja jemi në shpi tonë. Për, disa ditë e kanë përcjellë këto”, tha ajo.

Këto deklarime, dëshmitarja 6 i bëri duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtësit të viktimave, Simon Laws.

Tutje, dëshmitarja shtoi se ishin nën përcjellje gjatë tërë kohës nga njerëz që kishin bërë krime dhe jo nga pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ajo tha se ishin të përcjellur nga frika se mos po jepnin deklarata tek organet e drejtësisë.

Gjithashtu, dëshmitarja shtoi se vajzat e tyre ishin të detyruara ta ndërpresin shkollimin si rezultat i frikës nga përcjellja që po iu bëhej.

“Ishte vështirë të flisje me të”, avokati i Pjetër Shalës tregon për gjendjen e “Ujkut”

Edhe të mërkuren, pranë Gjykatës Speciale po vazhdon seanca e dëgjimit të dëshmitarit 6 në gjyqin ndaj ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala i njohur ndryshe si “Ujku”.

Shala e ka nisur seancën e sotme në mënyrë virtuale pasi dje u largua i nervozuar dhe në mënyrë demonstrative nga seanca për shkak të disa vërejtjeve që i ka bërë publike sot avokati i tij, Jean-Louis Gilissen

Avokati Gilissen është shprehur se dje Shala e dëgjoi seancën, por gjykata e humbi Shalën dhe kjo për arsye se ai dëshiron të jetë i pranishëm, por ka pasur vërejtje për disa arsye.

Avokati ka shpjeguar se Shala ka qenë në gjendje të vështirë fizike për shkak të problemeve shëndetësore pasi ka kuptuar nga të afërmit e tij se nuk po mund t’i përcjellin seancat plotësisht pasi pjesa më e madhe e tyre nuk janë publike.

“Ishte shumë e vështirë të flisje me të, dhe dje humbëm, sikurse Shala nuk e dëgjoi seancën, por edhe gjyqësori e humbi z. Shalën, edhe ai duhet të jetë dhe dëshiron të jetë i pranishëm dhe ai më shpjegoi dhe jam shumë i ndjeshëm, dhe është delikate, më dha arsyen pse, ai e vlerëson që jemi të gjithë profesionistë dhe duhet ta mendojmë nga një pikëpamje më e gjerë, ai më tha që ai ndjeu ,për të mirë ose për të keq dhe ishte e vështirë për te që po dëgjonte gjëra që nuk po thuheshin në publik, ju garantoj që ai është në dijeni për respektimin e masave mbrojtëse, ndjesia e tij ishte e tillë sepse ai pati kontakt me ish-partneren në Belgjikë dhe disa miq, dhe këta i thanë se nuk e përcjellim dot seancën, s’e kuptojmë çfarë po ndodh, është seancë me copa dhe për publikun është e vështirë të kuptojnë çfarë po ndodh, ky është informacion shumë interesant, të gjithë ne këtu e dimë që duhet të respektojmë dhe mbrojmë dëshmitarët, është kusht për gjykim të drejtë, por z. Shala, i cili ka probleme me zemrën dhe ka pasur kriza kardiake, ishte vërtetë nervoz sepse pasi pati këtë kontakt me të njohurit, i krijoi njëfarë ndjesie të pakëndshme sepse e kuptoi se nuk po e ndiqte publiku, nuk ishte publike”, tha avokati mbrojtës.

Më tutje në parashtresën e tij, avokati mbrojtës ka thënë se është çështje e rëndësishme dhe parim i gjykatës që seancat të jenë publike.

“Ai shpjegoi shumë gjëra dhe Shala nuk është i paditur, ai ka plot dijeni, është i mençur dhe unë e kuptova ato që shpjegoi ai, ato që ndjeu ai, lidhur me seancën, nuk është çështja të kritikojmë këtu, nuk jemi këtu për këtë, por shkon përtej kësaj, sepse pasi pata bisedën me të, pas mbrëmjes, unë pata autorizim ta takoj në burg, sepse ishte jashtë orarit zyrtar të vizitave dhe unë ndoqa transkriptin dhe në fakt , besoj se z. Shala ka të drejtë, kemi një problem në këtë pikë, kur shohim se si ka shkuar, por e respektoj, dua ta theksoj, e respektoj vendimin, por është për të ardhur keq se e humbëm z. Shala, sepse ai dëshiron të jetë i pranishëm, ai nuk u tërhoq se kishte frikë nga dëshmitaret, apo sepse nuk i mbështeste ato, jo jo, nuk ndjehej fare mirë, dhe kur e takuam, ishte e vështirë të komunikonim me të sepse kishte probleme fizike dhe unë mendoj me gjithë respektin tuaj, më duhet t’iu them që ne duam ta keni parasysh këtë parashtrim, e di që në Belgjikë janë përpjekur disa persona ta ndjekin seancën, por nuk kanë arritur.”, tha avokati.

Prokurorja e rastit ndërkohë është shprehur se e kupton faktin për proceset publike, por se duhet të merret parasysh edhe konfidencialiteti dhe siguria e dëshmitarëve.

“Jo, unë kisha një aspekt tjetër, por mbase shkurtimisht mund të flas për këtë. Ne e kemi parasysh këtë për proceset publike dhe jemi përpjekur sa më shumë që dëshmitarët t’i marrim në pyetje në publik ne e kuptojmë se ka qenë gjithë kohen e mundur kjo dhe do të bëjmë të pamundurën të mos e përsërisim këtë.”, tha ajo.

Pas saj, fjalën e ka marrë mbrojtja e viktimave për çfarë është shprehur se gjyqi duhet t’i mbrojë dëshmitarët dhe se prioritet absolut duhet të ketë siguria dhe mbrojtja e viktimave.

“Sigurisht që Gjykata kërkon të gjejë ekuilibër mes interesave për një gjyq të drejtë dhe të mbrojë dëshmitarët, dhe kjo nuk do të jetë asnjëherë e mundur që jetë publike gjatë gjithë kohës, por prioriteti absolut është siguria dhe mbrojta e atyre që vijnë për të dhënë dëshmi këtu dhe nëse kjo kërkon seanca private, atëherë ashtu qoftë dhe më vjen keq, por ky është produkt i realitetit, realiteti i Kosovës dhe kjo është një temë që është përmendur shumë herë nga gjykatës të ndryshëm edhe nga dëshmitarë në këtë gjykatë, këtë duam të themi.”, tha mbrojtësi i viktimave.

Më pastaj, ka vazhduar diskutimi i avokatit të Shalës i cili është shprehur se parimi duhet të jetë që seancat të jenë publike, pasi një gjyq për të qenë i drejt duhet të jetë publik dhe kjo është një garanci.

“Duam të jemi të kujdesshëm dhe të kemi dijenie e të jemi të ndërgjegjshëm që seanca në gjykim është delikat, është më shumë se aq. Nuk po përpiqem të jap leksione, në këtë e dimë që mund të themi të jemi të kujdesshëm, por ka kufi, një gjyq për të qenë i drejt duhet të jetë publik, prioriteti është një proces publik, është garanci, por sigurisht duhet të jemi të kujdesshëm sa i përket aspektit të sigurisë me informacionin, identifikimin, të dhënat identifikuese për dëshmitarët dhe sigurinë e tyre. Me gjithë respektin, parashtroj dhe e theksoj këtë, seancat publike janë garanci për gjykimin dhe në kundërshtim me mbrojtësin e viktimave, unë them kjo është një gjë shumë e rëndësishme, këtu do të gjejmë ekuilibrin, është delikate, punë e vështirë për ju dhe ne, për palët pjesëmarrëse në proces, por nuk duhet të harrojmë parimet dhe parimi është seanca publike.”, tha avokati mbrojtës.

Krejt në fund, gjyqtarja është shprehur se duhet gjetur ekuilibri midis këtyre dy pikëpamjeve dhe gjykata duhet t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat.

“Faleminderit z. Avokat, është pikë e rëndësishme kjo, edhe dje, edhe pardje, ka qenë një nga prioritetet tona që të kishim sa më shumë seanca publike, por ne si trup gjykues duhet të gjejmë ekuilibrin mes të drejtave të akuzuarit dhe nga ana tjetër, sikurse u tha duhet të kemi parasysh mbrojtjen e dëshmitarit dhe në po përpiqemi të bëjmë të pamundurën që aty ku mundemi seancën ta kemi publike, u kam çuar udhëzime palëve, çdoherë të kenë parasysh nëse mund ta parashtrojnë në seancë publike ose private, në ditën e parë u përpoqëm që sa më shumë të kemi seancë publike dhe patëm shumë redaktime shkaku i kësaj dhe besoj pjesë e kundra pyetjeve u bënë në seancë private dhe kjo është nga arsyet pse të martën u kërkuam të gjitha palëve që të ishin të kujdesshëm për pyetjet nëse duhet t’i bënin në seanca publike ose private dhe kjo duhet të jetë kështu.”, tha gjykatësja.

Ajo në fund tha se nëse konstatohet që ka pjesë nga transkripti që mund të riklasifikohen si publike, kjo do të ndodh.

“E përsëris, në pikëpamjen tonë dhe bazuar në ligj, prania e z. Shala në këtë sallë gjyqi është ajo që ne parapëlqejmë dhe i drejtohem dhe mbrojtjes, diskutoni edhe njëherë me z. Shala zgjedhjen e tij, por sigurisht mund të marrë pjesë në distancë, në të njëjtën mënyrë siç do të mund të merrte pjesë fizikisht dhe pyetja është a mund ta zgjedhimin mungesën e këtij ekuilibri në këtë mënyrë, ne po bëjmë të pamundurën që t’i kemi sa më shumë publike seancat dhe ne po përpiqemi të japim sa më shumë udhëzime për palët në këtë drejtim. Është përgjegjësi edhe e juaja të vlerësoni këtë, dhe jo vetëm për procesin, por të keni parasysh edhe sigurinë e dëshmitareve, është vështirë në këtë proces. Nëse e kuptojmë se një pjesë e transkriptit që është bërë në privat mund të klasifikohet si publike, ne do t’i ri-klasifikojmë si publike.”, tha në fund gjykatësja.

​Pjetër Shala kërkon që dëshmitarët të dëgjohen në seanca publike

Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, ka kërkuar që seancat në këtë proces gjyqësor të jenë sa më shumë publike. Sipas tij, një gjykim duhet të publik për të qenë i drejtë, por duke mos përjashtuar kujdesin e sigurisë për të dhënat identifikuese të dëshmitarëve.

Në fillim të seancës, Gilissen ka folur rreth vendimit të Shalës për të mos marrë pjesë fizikisht në gjykatore dhe sipas tij një gjë e tillë po ndodh për shkak se pjesa më e madhe e dëshmive po mbyllen për publikun.

Sipas tij, Pjetër Shala kishte kontaktuar të martën me disa të njohur në Belgjikë e të cilët kishin thënë se nuk po kuptojnë asgjë nga ajo çfarë po ndodh në sallën e gjyqit, për shkak të dëshmia po dëgjohet në seancë private.

Gilissen: Për Shalën është e dhimbshme që publiku të mos i dëgjojë dëshmitë

“E takova dje në mbrëmje në objektin e paraburgimit, ishte shumë e vështirë të flisje me të, dhe dje humbëm, Shala nuk e ndoqi seancën, mund të them që sistemi gjyqësor po ashtu e humbi zotin Shala, është e dëshirë e zotit Shala të jetë i pranishëm, ai dëshiron të jetë i pranishëm gjatë seancave. Kur ai më shpjegoi, dhe unë jam shumë i ndjeshëm sepse është shumë delikate, më tha arsyen pse, ai e vlerëson që jemi të gjithë profesionistë dhe duhet ta mendojmë nga një pikëpamje më e gjerë, më tha se ajo që ndjeu ai, mbase për mirë apo për keq, ishte shumë e dhimbshme për të që po dëgjonte shumë nga gjërat që nuk po thuheshin në publik”, ka thënë avokati.

Ai ka thënë se Shala është i vetëdijshëm për çështjen e sigurisë së dëshmitarëve por sipas tij publiku duhet të dijë se çfarë po ndodh në sallën e gjyqit.

Gilissen: Shala nuk u tërhoq nga seanca pse kishte frikë nga dëshmitarët

“Duhet të mbrojmë dëshmitarët por zoti Shala i cili ka probleme me zemrën, dhe ka pasur kriza kardiake, ishte vërtetë nervoz sepse pasi pati këtë kontakt me të njohurit, i krijoj njëfarë ndjesie të pakëndshme sepse e kuptoj që nuk po e ndiqte publiku, pra gjykimi nuk ishte publik...Besoj se Zoti Shala ka të drejtë, kemi një problem në këtë pikë, kur shohim si ka shkuar, po e respektoj, dua ta theksoj, e respektoj plotësisht vendimin por është për të ardhur keq që e humbëm zotin Shala sepse ai dëshiron të jetë pranishëm, ai nuk u tërhoq se kishte frikë nga dëshmitarët, nuk ndjehej fare mirë dhe kur e takuam ishte vështirë të komunikonim me të sepse kishte vërtetë probleme. Mendoj, me gjithë respektin, që ne duam ta keni parasysh këtë parashtrim”, ka thënë mbrojtja.

Lidhur me këtë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se janë përpjekur që dëshmitarët t’i marrin në pyetje sa më shumë në seanca publike por sipas tyre kjo nuk është e mundur gjatë gjithë kohës.

Ndërsa mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka thënë se prioritet duhet të jetë siguria e dëshmitarëve.

Laws: Prioritet duhet të jetë siguria e dëshmitarëve

“Sigurisht që gjykata kërkon të gjejë një ekuilibër mes interesave për një gjykim të drejtë por në të njëjtën kohë të mbrojë dëshmitarët dhe kjo është diçka që do të jetë qind për qind e mundshme gjatë gjithë kohës. Prioriteti absolut është siguria dhe mbrojta e atyre që vinë për të dhënë dëshmi këtu dhe nëse kjo kërkon që duhet të kemi seanca private atëherë ashtu qoftë, dhe më vjen keq por ky është produkt i realitetit, ky është realiteti i Kosovës dhe kjo është një temë që është përmendur shumë herë nga gjykatës të ndryshëm dhe nga dëshmitarë në këtë gjykatë”, ka thënë ai.

Por sipas avokatit të Shalës, një gjyq duhet të jetë publik për të qenë i drejtë.

Gilissen: Një gjyq duhet të jetë publik për të qenë i drejtë

“Një gjyq, për të qenë i drejtë duhet të jetë publik, ju lutem, prioriteti është një proces publik, është një garanci, por sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm sa i takon aspektit të sigurisë, veçanërisht bazuar në informacionin lidhur me identifikimin, të dhënat identifikuese për dëshmitarët dhe për sigurinë e tyre. Përkundrazi, me gjithë respekt, parashtroj dhe e theksoj këtë, seancat publike janë një garanci për gjykimin dhe në kundërshtim me mbrojtësin e viktimave mund të them që jo, kjo është një gjë shumë e rëndësishme, këtu duhet të gjejmë ekuilibrin. E dimë që është delikate për ju të nderuar gjykatës, është e vështirë për palët por nuk duhet të harrojmë parimet, dhe parimi është seanca publike”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka thënë se nëse trupi gjykues e kupton që një pjesë e transkriptit të seancave që është në privat mund të rikalsifikohet si publik, do ta bëjnë një gjë të tillë.

Foglia: Do të bëjmë të pamundurën të kemi sa më shumë seanca publike

“Pyetja është a do ta zgjidhim kështu ne këtë ekuilibër, duke mos qenë i pranishëm e zgjidhim ne mungesën e këtij ekuilibri. Ne do të bëjmë të pamundurën që t’i kemi sa më shumë publike seancat dhe ne si trup gjykues do të përpiqemi të japim më shumë udhëzime në këtë drejtim për palët, mbrojtësin viktimave, është edhe përgjegjësia e juaj, ju ta vlerësoni nëse është e mundur apo jo, dhe jo vetëm për shkak të një procesi publik por të kemi parasysh edhe sigurinë e dëshmitarëve”, ka thënë ajo.

Këtë seancë Pjetër Shala po e ndjek nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Ish-pjesëtari i UÇK-së është larguar të martën nga salla e gjyqit dhe ka vendosur të marrë pjesë në gjykimin kundër tij vetëm përmes video-lidhjes. Mbrojtja e tij ka thënë se ai nuk është ndjerë mirë dhe ka qenë nervoz.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtur i prokurorisë dhe pjesa më e madhe e dëshmive nuk janë të hapura për publikun ose transmetohen me përmbajtje të redaktuar.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, Shala ndodhet prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Edhe sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës

Edhe sot do të vazhdojë seanca gjyqësore e Gjykatës Speciale ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Seanca pritet të fillojë nga ora 09:30 dhe do të vazhdojë deri në ora 16:00.

Në seancën e djeshme të Shalës ishte e ftuar dëshmitarja e dytë e mbrojtur, e identifikuar me numrin gjashtë. Derisa ajo ishte duke folur, ish-komandant “Ujku” i UÇK-së është larguar nga salla.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat