Çështja që më së shumti po diskutohet në marrëveshjen me Serbinë është ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri Kurti pas takimit në Ohër ka thënë se Asociacioni nuk është vetëqeverisje e serbëve por vetëmenaxhim.
Lidhur me këtë çështje, drejtori ekzekutiv i Institutit për politika sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri ka thënë se kryeministri tashmë e ka pranuar Asociacionin dhe atë sipas marrëveshjeve të kaluara që Bashkimi Evropian i sheh si relevante për modelin e Asociacionit.
Por, thotë se pyetja tashmë nuk është nëse do të ketë kompetenca, por të çfarë niveli do të jenë.
“Kryeministri Kurti tashmë i ka thënë po Asociacionit. Dhe atë sipas marrëveshjeve të kaluara që ndërmjetësuesi (BE) i sheh si relevante për modelin e Asociacionit (vetëmenaxhimit) që do të zbatohet. Gjykuar nga kjo Asociacioni do të jetë një strukturë që mundëson realizimin e kapacitetit vetëmenaxhues për komunitetin serb në komunat ku ata janë shumicë në fushat e caktuara për të cilat dakordohemi përmes Statutit. Pyetja nuk është nëse do të ketë kompetenca por të çfarë niveli do të jenë ato dhe në cilat fusha”, ka shtuar ndër të tjera Ymeri.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas marrëveshjes ka deklaruar se me Serbinë është arritur pajtimi publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Ai tha se në marrëveshjen bazë është njohje e ndërsjellë de-facto.
Ndërsa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë për marrëveshjen e arritur se Kosova dëshmoi të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet.