Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi sot takim me ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se ata “biseduan për zhvillimet në vend dhe rajon, dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet ambasadës finlandeze dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si rezultat i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe”.
“Në shërbim të thellimit të tyre, sidomos të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, kryeministri Kurti mirëpriti iniciativën për hapjen e Odës Ekonomike Nordike në Kosovë”, bëhet e ditur në njoftim.
Më tej, në njoftim thuhet se ai gjithashtu e përgëzoi ambasadorin Nissinen dhe shtetin e Finlandës, me rastin e ratifikimit të aplikacionit për anëtarësim të Finlandës nga të gjitha 30 shtetet e NATO-s, duke theksuar se anëtarësimi i saj në NATO i kontribuon paqes dhe sigurisë në Evropë.