Ish-deputeti që votoi kundër Speciales: Dëshmitë ndaj krerëve të UÇK-së janë të fabrikuara

Aktuale

Ish-deputeti që votoi kundër Speciales: Dëshmitë ndaj krerëve të UÇK-së janë të fabrikuara

Më: 3 prill 2023 Në ora: 20:32
Ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku

Ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, thotë se dëshmitë kundër ish-presidentit Hashim Thaçit dhe të tjerëve janë të përpunuara me qëllimin që të kriminalizohet lufta e UÇK-së.

Demaku i cili përveç që kishte votuar kundër formimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, ishte i gjykuar edhe për krime luftë në rastin “Drenica 2”, theksoi se dëshmitë kundër ish-krerëve të UÇK-së janë të fabrikuara.

Kjo pasi ai tha se edhe vetë është përballur me një proces të tillë, me “një dëshmitar të manipuluar e me dezinformata të ndryshme”.

Sipas Demakut, Gjykata Speciale është mekanizëm që është krijuar për t’i bërë koncesione Serbisë dhe kjo dëshmohet sipas tij, në marrëveshjen e fundit Kosovë-Serbi, të arritur në Ohër të Maqedonisë Veriore.

Demaku, i pyetur nëse do të votohet rezoluta që shfuqizon rezolutën e ish-senatorit zviceran, Dick Martyt për themelim të Gjykatës Speciale, mendon se gjërat do të duhej të shkonin në atë drejtim.

Megjithatë, ish-deputeti tha se beson thellësisht në pafajësinë e tyre.

“Si e shoh fundin e Gjykatës, nisna nga fillimi i Gjykatës. Fillimi i Gjykatës ka qenë politik, edhe fundin e shoh politik. Kjo Gjykatë ka qenë e krijuar jo si mekanizëm për drejtësi, po në shërbim të politikave të mëdha. Dhe sa do t’ju duhet, aq do ta mbajnë. Po flas në aspektin politik. Drejtësia nuk ka qenë qëllimi primar, se s’kanë çfarë drejtësie për me e bë këtu”, ka thënë ai për TV1.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat