“UÇK nuk mbrohet duke mbrojtur Thaçin e Selimin”, mocioni për rrëzimin e raportit të Dick Martyt nxit reagim të ashpër ndaj Ramës

Aktuale

“UÇK nuk mbrohet duke mbrojtur Thaçin e Selimin”, mocioni për rrëzimin e raportit të Dick Martyt nxit reagim të ashpër ndaj Ramës

Nga: M.L. Më: 3 prill 2023 Në ora: 21:02
Foto ilustrim

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një reagim gjatë ditës së sotme ka deklaruar se janë mbledhur nënshkrimet në asamblenë e Këshillit të Evropës për një rezolutë të re që e rrëzon rezolutën e vitit 2011 mbi raportin e senatorit Dick Marty, në bazë të të cilit u ngritën akuzat për krime lufte ndaj ish krerëve të UÇK-së.

E këtë deklaratë të Ramës e ka kundërshtuar njohësi i marrëdhëneve ndërkombëtare prof. Dr. Enver Bytyçi, i cili ka thënë se Prokuroria dhe hetuesia nuk e kanë objekt hetimi dhe gjykimi “trafikimin e organeve”.

Sipas tij, derisa vet Prokuroria dhe Gjykata Speciale kanë deklaruar se UÇK-ja nuk është e inkriminuar, Rama veproi si Serbia duke e kthyer në vëmendje temën e trafikimit të organeve.

“UÇK nuk mbrohet duke mbrojtur Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, sidomos prej akuzave për krime kundër shqiptareve. UÇK mbrohet duke ndërtuar shtetësinë, duke u ballafaquar me drejtësinë, duke u pastruar nga akuzat, qe i formuloi Serbia, për fatin e keq te saj, duke goditur një nga bashkëpunëtorët e saj të përkushtuar për ndarjen e Kosovës!”, u shpreh mes tjerash profesori.

Postimi i plotë:

Po shoh se kryeministri i Shqipërisë ka shkruar ne facebook-un e tij këto radhë sa i përket gjyqit qe po zhvillohet në Hage dhe akuzave ndaj 4 ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lexojeni ju lutem:

“I mblodhëm më në fund firmat në asamblenë e Këshillit të Evropës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj ushtrisë së lavdishme çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore

Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare”,-ka shkruar në postimin e tij kryeministri Rama

Nisur nga ky status sqaroj si me poshtë:

1. Askund dhe askush nuk flet prej vitesh për "trafikun e organeve njerëzore" nga ana e UÇK-së. Akuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve nuk e përmban këtë çfarë pretendon Edi Rama! Pse ai ngre pluhur për diçka që nuk ekziston? Pse e rikthen në vëmendjen e opinionit atë që quhet "trafikim i organeve njerëzore nga ana e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës?! A i vihet në ndihme imazhit të UÇK-së me rikthimin e një akuze, të cilën Prokuroria dhe Gjykata Speciale nuk e kanë objekt hetimi dhe gjykimi? Jo! Madje këtë akuze makabre nuk e përmend prej pak vitesh as Beogradi!

2. Sipas zotit Rama këto akuza qenkan ngritur kundër UÇK-së. Të njëjtën gjë ka thënë sot në Beograd kryetari i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovën, Dreçun. Ndërkohë vet Prokuroria dhe Gjykata Speciale kanë deklaruar se UÇK nuk është e inkriminuar. Po ashtu këtë e thonë të gjithë politikanët dhe diplomatet perëndimore! Por ja qe kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Serbisë, sipas optikave të veta, pohojnë të kundërtën, se gjykata speciale drejtohet kundër UÇK-së!

3. Ne statusin e mësipërm Edi Rama flet për drejtësi për Kosovën, për gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe heronjve të luftës. Ne fakt nuk i është bërë dhe nuk po i behet padrejtësi as Kosovës, as heronjve të luftës, të cilët luftuan për idealin e lirisë së Kosovës. Këta katër që janë në Hagë, së paku dy prej tyre, akuzohen se kane spekuluar me luftën për të siguruar pozita pushteti. Ndryshe nuk shpjegohet tortura ndaj anëtarëve të LDK-së, se paku ne 13 raste, sipas akuzës. Ndërsa gjaku i dëshmorëve nuk kërcënohet kurrë nga padrejtësia. Kjo ekziston vetëm në fantazinë e Edi Rames, i cili qëllimisht përdor dramaciditetin si metode sensibilizimi për publikun!

4. Rama flet për rezolutën e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Por nuk ka folur asnjëherë, as në Asamblenë e Përgjithshme të KE, për origjinën e akuzave që u trajtuan në atë rezolute. Kurrë nuk tha se ishte vëllai i tij, Vuçiq, ose paraardhësi Tadiq, pra ishte Serbia dhe prokurori i saj special për krimet e luftës, ata që përgatitën bashke me Dick Marty-n ate rezolute me akuza monstruoze. Prirja per te fshehur autorin dhe akuzuesin kryesor te UCK-se dhe mos përmendja e Serbisë e komprometon gjithçka që Rama shkruan me patos ne mbrojtje gjoja te UÇK-së.

Se fundmi: UÇK nuk mbrohet duke mbrojtur Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, sidomos prej akuzave për krime kundër shqiptareve. UÇK mbrohet duke ndërtuar shtetësinë, duke u ballafaquar me drejtësinë, duke u pastruar nga akuzat, qe i formuloi Serbia, për fatin e keq te saj, duke goditur një nga bashkëpunëtorët e saj të përkushtuar për ndarjen e Kosovës!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat