Pas avokatëve edhe Thaçi do të jap qëndrimin e tij për akuzat
Pas përfundimit të fjalëve hyrëse të dy mbrojtësve të tij, Gregory Kehoe dhe Luka Misetiç, edhe ish presidenti Hashim Thaçi ka vendosur ta marrë fjalën dhe ta japë qëndrimin e tij lidhur me akuzat e Prokurorisë në nisje të procesit gjyqësor ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Fjala e Hashim Thaçit pritet të zgjasë rreth 5 minuta sikurse ka thënë avokati i tij Misetiç.
Ndërkaq krejt në fund do t’i drejtohet gjykatës sërish Kehoe për ta përmbyllur fjalën hyrëse të mbrojtjes së Thaçit që zgjat afërsisht 3 orë.
Kujtojmë se edhe sot po vazhdon seanca gjyqësore e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Deklarohet avokati: Thaçi e di se janë kryer krime nga disa individë, nuk e mohon këtë!
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, deklaron se klienti i tij nuk kishte asnjë motiv të merrte pjesë në krime. Por sipas tij, Thaçi e di se janë kryer krime nga disa indidivdë gjatë dhe pas konfliktit e për këtë gjë e ka informuar Këshillin e Sigurisë.
“Kush ishte Hashim Thaçi në vitin 1998 dhe 1999? I ri, 30-vjeçar. Ishte një aktiivist student që u kthye në Kosovë në mars 1998, menjëherë pas vrasjes së anatërëve të familjes Jashari që është pikënisja e kësaj periudhe…Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv që të merrte pjesë në krime si një prej udhëheqëve politikë të UÇK-së, Hashim Thaçi e dinte që suksesi i lëvizjes çlirimtare varej nga mbështetja e vendeve perëndimore sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha avokati.
Ai tha se Thaçi e dinte se Kosova nuk mund ta arrinte pavarësinë pa ndihmën e Amerikës dhe vendeve tjera perëndimore.
“Janë kryer krime, por jo të motivuara”, tha avokati.
Gjithashtu, ai deklaroi se “Thaçi nuk e mohon se disa krime janë kryer nga disa indidivdë gjatë dhe pas konfliktit E ka informuar Këshillin e Sigurisë me këtë fakt. Por ai e kundërshton pretendimin e ZPS-së se janë kryer krime si pjesë e një politike të planifkuar, ai rrëzon pretendimet se janë kryer krime në mënyrë të përhapur apo sistematike”.
Jakup Krasniqi emocionohet teksa avokati i Thaçit prezanton krimet serbe në Kosovë
Avokati i Hashim Thaçit ka vazhduar me fjalën e tij hapëse në seancën e sotme në Hagë.
Në një pjesë të seancës, Keohe ka paraqitur gjenocidin serb në Kosovë.
Ai ka publikuar pamje të ndryshme të masakrave dhe bombardimeve të NATO-s.
Kjo duket se ka emocionuar Jakup Krasniqin. Ai është parë i prekur në prapavijë, teksa avokati i Thaçit fliste për këto krime.
Kehoe: Aktet e lokalizuara të dhunës u kryen edhe nga njerëz që prezantoheshin si UÇK
Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, duke folur për periudhën pas çlirimit të Kosovës dhe nisjes së administrimit të Kosovës nga UNMIK-u, tha se krime mund të kenë ndodhur në nivel lokale me motive hakmarrjeje.
“Aktet e lokalizuara të dhunës individuale të nxitura nga zemërimi, urrejtja, mungesa e llogaridhënies ishin të pashmangshme”, tha Kehoe duke thënë se njerëzit që ishin kthyer nga dëbimi i gjetën pronat e tyre të djegura dhe të dëmtuara.
“[Aktet e dhunës] shpesh shkaktoheshin nga kriminelët, elementët keqbërës të UCK-së, njerëz që prezantoheshin si UÇK, mbanin uniforma të blera në rrugët e Prishtinës e gjetkë”, tha tutje avokati.
Ai prezantoi edhe një pjesë të intervistës dhënë në korrik të vitit 1999 të ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark lidhur me krimet hakmarrëse ndaj serbëve lokalë.
“Ka qindra e mijëra njerëz që po kthehen mbrapsht. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, por ka edhe serbë që mendojnë se do të jenë fajtorë për shkak të etnicitetit të tyre. Ka përpjekje legjitime që pronat t’i kthehen pronarëve. Është periudhë që po merret hak, po lahen hesape”, është cituar të ketë thënë Clark.
UÇK-ja “nuk kishte strukturë komande”
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, tha se për shkak të ofensivave serbe në Kosovë, më 1999, shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjitshëm, kishin ikur nga Kosova.
“Ofensiva serbe e dyta, po flasim për fushatën masive të vitit 1999, pengoi çdo mundësi që UÇK-ja të vepronte apo funksiononte si një njësi e bashkuar”, tha avokati Gregory Kehoe.
“Nuk kishte strukturë komande të UÇK-së dhe me siguri nuk kishte strukturë efikase”, shtoi ai.
Thaçi dhe tre të akuzuarit e tjerë akuzohen se kanë themeluar Shtabin e Përgjithshëm dhe se ky trup ka shënjestruar “kundërshtarët” e perceptuar të UÇK-së.
Thaçi nga Rambuje shkoi në Slloveni ta merrte miratimin e Demaçit për nënshkrim
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se klienti i tij nuk ishte ai që mund të vendoste vetë që ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë më 1999.
Ai ka thënë se derisa Thaçi ka qenë në Rambuje të Francës, e kishte lënë konferencën për ta marrë miratimin e Adem Demaçit, përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Aftësia e Thaçit që ta nënshkruante marrëveshjen vihej në dyshim nga një sërë faktorësh. Duhej të ekzistonte njëfarë aprovimi nga Adem Demaçi që ishte autoritet supreme politik i UÇK”, është shprehur Keohe.
“Thaçi u largua gjatë konferencës për të shkuar në Slloveni që ta merrte miratimin e Demaçit. Ish-sekretarja amerikane, Madeliene Albright, I bëri thirrje Demaçit që ai ta mbështeste Rambujesë, por ai ishte kundër sepse nuk përfshinte pavarësinë e Kosovës”.
Keohe ka theksuar se Thaçi më pastaj u përball me presion të madh ndërkombëtar.
“Albright I tha atij ‘gjimnazist’ të cilin e kishte qortuar”.
Në fjalën e tij, Keohe ka thënë se Thaci për nënshkrim kishte marrë miratimin e komandantëve të zonave.
Mbrojtja flet rreth kontrollit të UÇK-së
Mbrojtja e Thaçit po vazhdon deklaratën hyrëse, duke tentuar që të hedh poshtë pretendimet e prokurorisë.
Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, sërish insistoi se Thaçi nuk kishte pushtet real gjatë luftës, ashtu siç pretendon prokuroria se ai ka udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
“Hashim Thaçi nuk kontrollonte UÇK-në, e kontrollonin komandantët e zonave”, tha ai.
Kehoe po ashtu kundërshtoi një prej pikave kyçe të aktakuzës së Speciales, që thotë se synimi kryesor i Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, ishte të merrnin kontrollin e Kosovës.
"Nuk është aspak e vërtetë", tha ai.
Ai tha se Qeveria e Përkohshme e udhëhequr nga Thaçi, kshte qëllim të ishte me bazë të gjerë, ashtu siç kishte kërkuar SHBA-ja, tha Kehoe.
Në këtë Qeveri të Përkohshme, sipas Kehoe, kishte vend për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndonëse ky subjekt refuzoi të merrte pjesë. Ky ekzekutiv, sipas mbrojtësit të Thaçit, nuk u krijua për të shënjestruar "kundërshtarët" e as për shfrytëzuar vakuumin e pushtetit.
Mbrojtja: Thaçi nuk kishte mundësi të parandalohet apo ndëshkonte krimet
Avokati Gregory Kehoe, sërish mbështeti pretendimin e tij se Thaçi nuk kishte pushtet që të parandalohet apo ndëshkonte krimet e mundshme gjatë luftës.
Ai tha se Thaçi, dhe Azem Syla, që atëbotë ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së ishin në Rambuje, kur Syla u shkarkua dhe u zëvendësua me Sylejman Selimin.
“Hashim Thaçi nuk kishte mundësinë të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona.
Pushteti real u takonte komandantëve të zonave”, tha ai.
Mbrojtja: Thaçi nuk ka pasur motiv të kryejë krimet për të cilat akuzohet
Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, në fjalën e tij hyrëse tha klienti i tij nuk ka pasur motiv për të kryejë krimet për të cilat akuzohet.
“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja”, tha ai, duke përmendur disa kushte që SHBA-ja i kishte vendosur UÇK-së për funksionimin e saj, që përfshinte atë që të mos sulmonin civilët.
Kehoe kundërshtoi deklaratën hyrëse të prokurorëve të specializuar që u dha gjatë të hënës.
Sipas tij, atyre ju mungoi konteksti i luftës kur pretendohet se janë kryer krimet.
“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës. Faktet e asaj që ndodhën në terren duam të vendosim në kontekst”, tha ai.
Kehoe tha se Thaçi e ka pranuar se janë kryer krime gjatë luftës nga disa individë, por hedh poshtë akuzat e prokurorisë se këto krime janë kryer në bazë të një politike të udhëhequr nga UÇK-ja.
“Ai e kundërshton pretendimin e ZPS se janë kryer në bazë të një politike të Shtabit të Përgjithshëm apo që ka pasur krime sistematike dhe të përhapur”.
Sipas avokatit të Thaçit, Serbia ka kryer krime në Kosovë që shpesh kanë pasur për bazë edhe hakmarrjen.
Mbrojtja e Thaçit: Pushteti ishte në duart e komandantëve lokalë
Në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka nisur deklaratën hyrëse që pritet të zgjasë tri orë.
Avokati Gregory Kehoe në nisje të seancës tha se në ditën paraprake, Zyra e Prokurorit të Specializuar tentoi të lidhë dokumente e komunikata për të dëshmuar se “kolaboracionistët ishin kërcënim ekzistencialë”.
“Përfaqësuesit e ZPS-së folën si kolaboracionistët shiheshin si rrezik ekzistencialë. I vetmi rrezik ishte ushtria serbe bashkë me forcat paramilitare”, tha ai.
Ai po ashtu tha se Thaçi akuzohet se ka drejtuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, por dha një shembull se si komandantët lokalë kishin ndryshuar komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, në kohën kur Thaçi ishte në Rambuje të Francës për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
“Komandantët lokalë e ndryshuan komandantin e përgjithshëm, pa marrë mendim nga Thaçi e Azem Syla, që gjendeshin në Rambuje. Pushteti ishte në dorën e nivelit lokalë”, tha ai.