Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, ka komentuar situatën aktuale politike në Kosovë.
Ai ka përmendur edhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se “ata ndërtuan pallate e hotele, morën çka deshtën e n’fund shkuan n'Evropë me dëshmuar pafajësinë”.
Lajçi ka shkruar disa fjalë edhe për kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke thënë se ai e solli Aleksandar Vuçiqin në Tiranë.
Sipas aktorit, Kosovën e ka “marrë dreqi përpara”, por në fund të gjithë do të “ulen në një sofër”, përcjell Bota sot.
Reagimi i Lajçit në Facebook:
Kur dreqi t'merr përpara
Si jeni ju andej? - Ka kohë që s'jemi pa. Nji vit u banë që s'mora rrugë Fanit me kalin teknefes.
M'ka marrë malli me dalë n'Tiranë e me çua kryet përpjetë. Me vu dorën mbi vetullë e me kqyrë Sahatkullën. Me pa sa asht ora! Më thirrë t'madhe; - a janë çelë nallbanhanet për teknefesin tim? Hanet a i kanë hapë dyert për zotninë time? Mejhanet a kanë nisë me pjekë kafe, se m'ka ra huj me dredhë nji tarabosh e me iu ba tym mustaqeve!
Si jeni ju andej? - A po ju gjykon Evropa si neve? - apo ndoshta ju po e gjykoni vetvetën e s'po keni nevojë për gjykata speciale! Kjo asht mirë, nëse asht kështu! Keq asht nëse e vrisni vetvetën e kërkoni drejtësi n'Evropë, siç kërkuem neve!
Nejse!
Unë dua me ardhë të Sahatkulla e me pa njat Alibeun e me i thanë; - tash ndahu edhe nga vetvetja, se hija jote s'ka me t'lanë vend kurkund!
Edhe Edin dua me pa e me i thanë pikturoje vetën e vare pikturën n'mur të Ismailit, që të dihet; - cili asht baba e cili asht i biri! Cili e ngriti flamurin n’Vlonë e cili e pruni Vuçiqin n’Tiranë!
Neve këndej na ka marrë dreqi përpara, e po don me zor me na mbërthye kërrshave! Po mundohet me na ba bashkë tue na i thye brinat e tue na i varë trokaçat n'qafa! Na kanë shpërnda si pikat e shiut. Edhe trutë na i kanë shpërla me do marrëveshje.
- Deshtët s'deshtët, nënshkruet s'nënshkruet, iu pëlqeu s'iu pëlqeu, keni mu ulë në nji sofër e në nji sahan keni me i shti lugët, na thanë, dhe tash kemi mbetë me shtaga n'duer, tue lypë gu*** me futë n'birë!
Edhe ata, që na e sollën lirinë nga malet, t'gjitha gradat ia vunë vetës n'krah, t'gjitha lulet me aromë çmendurie i futën n'xhepat e tyne, ndërtuen pallate e hotele, morën çka deshtën e n’fund shkuen n'Evropë me dëshmua pafajsinë! Neve s'na mbeti tjetër pos me marrshua tue kërkua drejtësi për ta, e tani po e lusim zotin, që t'mos jetë ashtu siç po thonë ata t'gjykatoreve!
Nejse!
Mua m’ka marrë malli edhe për ata e edhe për juve, por kali m’ka qëllu teknefes e nuk po m’çon ma kurkund!