Alarmon Luljeta Aliu: Po mbillet fara për konfliktin e ardhshëm në Kosovë, ja si ta refuzojmë kërkesën për ASK-në

Aktuale

Alarmon Luljeta Aliu: Po mbillet fara për konfliktin e ardhshëm në Kosovë, ja si ta refuzojmë kërkesën për ASK-në

Nga: A.Zh Më: 8 prill 2023 Në ora: 10:47
Luljeta Aliu, foto e postuar në Facebook

Analistja politike Luljeta Aliu, ka thënë se me presionin ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, po mbillet fara për konfliktin e ardhshëm në Kosovë.

Ajo, përmes një postimi në Facebook, ka pyetur se nëse zgjedhja është ose konflikt në Kosovë ose konflikt në Ballkan, pse duhet Kosova të bëhet prapë kurban, përcjell Bota sot.

Aliu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës, që të mos lëshojnë pe përballë presionit, duke refuzuar kërkesën e ndërkombëtarëve me “finesë e diplomaci”.

Reagimi i plotë i Aliut:

Amerika dhe Evropa janë në ankth që Rusia po rikthehet për t'i dominuar zonat e saj të influencës që i kishte para përfundimit të Luftës së Ftohtë. Kjo është betejë mes tyre. Kosova ka qëlluar në mes. Deri tani, të qënit në mes na ka dëmtuar, sepse edhe nuk kemi ditur ta luajmë lojën. Por tani, kjo situatë, në rastin e luftës në Ukrainë dhe rrezikun e rikthimit të Rusisë në këtë zonë, është strategjikisht e dobishme për Kosovën.

Si asnjëherë më parë, Kosova e ka komoditetin të mos lëshojë pe për asgjë, ose thjesht të thotë se ne nuk bëjmë asnjë koncesion ndaj Serbisë dhe ta lërë në duart e Amerikës dhe Evropës se si do të veprojnë tutje, pra a do ta lënë çështjen e Kosovës të hapur e me mundësinë që Serbia të forcohet e të fillojë prapë agresionin në Kosovë, apo ta përmbyllin këtë çështje duke i detyruar 5 shtetet anëtarë të BE-së që ta njohin Kosovën dhe Serbinë poashtu, por me mjete tjera diplomatike dhe ekonomike, e jo duke e joshur me një pjesë të Kosovës.

Kosova nuk ka pse të flijohet për interesa të të tjerëve. Mjaft kemi dhënë. Interesat e Amerikës dhe Evropës për siguri dhe paqe në Ballkan karshi pretendimeve të Rusisë janë më të mëdha se tonat, e prandaj ne e kemi tani mundësinë të bëjmë lojën tonë. Nëse ekzistojnë dy alternativa, pra njëra që ne të dëmtohemi deri në atë masë sa herdokur do të ketë paralizim të Kosovës dhe tjetra që të rrezikohet një konflikt tjetër në Ballkan, për ne, rezultati, në të dy rastet është i njëjti. Me presionin ndaj Kosovës, duke e kërkuar një asociacion të komunave me shumicë serbe, po mbjellet fara për konfliktin e ardhshëm në Kosovë. Nëse zgjedhja është ose konflikt në Kosovë ose konflikt në Ballkan, pse duhet Kosova të bëhet prapë kurban? Dmth ne nuk po ju dhimbsemi Evropës, e pse duhet Evropa të na dhimbset neve?

Kosova, thjesht, është mirë të mos lëshojë pe fare, natyrisht duke refuzuar me finesë e diplomaci. E kjo është e mundur nëse unifikohet spektri politik në këto momente. Është dritarja e vetme kohore që na mundëson këtë përparësi. Me përfundimin e luftës në Ukrainë, kjo dritare mbyllet.

Shpresoj që mundësitë strategjike nuk i lëmë të na ikin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat