Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu tregoi se si vepron Gjykata në raste të shkeljeve ndaj Kushtetutës.
“Kushtetuta shkelet nga autoritet e shtetit dhe nëse kjo ndodh, atëherë Gjykata e ka në kompetencë kontrollin e pushteteve shtetërore. Është shkelur në disa raste dhe Gjykata ka vepru me masa ndëshkuese. Presidentët e shtetit i ka detyruar me dhënë dorëheqje ose përndryshe Parlamenti ka qenë i detyruar me i shkarku. Ne i kemi dy raste, raste këto të cilat nuk janë në Evropën Juglindore por janë raste unike në Kosovë”, ka deklaruar Kryeziu, duke ju referuar kështu rasteve ndaj ish-presidentëve Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli.
Tutje ai ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës po respektohet në përqindje të madhe.
“Një përqindje e madhe po e respekton Kushtetutën e Kosovës, por ka raste të cilat nuk respektohen ndoshta edhe nga mos edukimi kushtetues i mjaftueshëm, por Gjykata Kushtetuese është këtu. Ajo e bën kontrollin e veprimeve të autoriteteve të shtetit, duke marrë masa ndaj tyre”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuse kundër ministres Albulena Haxhiu, ku shpalli anti-kushtetues Ligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë.
Për këtë, Kryeziu fajin e ka hedhur tek departamenti ligjor në këtë ministri.
“Unë mendoj që në ministri është departamenti ligjor dhe pikërisht ky departament nuk ka qenë i koncentruar mjaftueshëm për ta bërë një ligj i cili do të jetë një ligj funksional. Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese është një institucion shumë i respektuar me gjykatës dhe gjyqtarë të përgatitur. Ai i ka këto vërejte, pastaj është anuluar ligji dhe është rekomanduar që të projektohet edhe njëherë ky ligj”, është shprehur ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Më 9 prilli të 2008-ës për Republikën e Kosovës u shënua një nga ditët më të rëndësishme për vendin tonë. Siç njihet si akti më i lartë e më i rëndësishëm i shtetit, Kosova këtë vit po feston 15 vjetorin e Kushtetutës së saj.
Kjo Kushtetutë përmban 14 kapituj e 162 nene, që për synim ka rregullimin politik e juridik të vendit.