Njohësi i fushës juridike, Mazllum Baraliu thotë se Kushtetuta ka mangësi, por megjithatë si e tillë duhet respektuar.
Ai thotë se kjo ditë historike duhet të festohet anë e kënd Kosove.
“Për Kosovën e pavarur ky është akti i parë historik dhe i tillë do të mbetet gjithmonë, gjatë gjithë jetës sepse me gjithë përmbajtjet e saja, pa qenë perfektë sepse nuk ka Kushtetutë të përkryer, edhe kjo e jona ka mangësitë e veta sepse e kanë bërë të tjerët, nuk ka buruar nga vullneti i popullit e as nga referendumi në popull dhe si e tillë duhet respektuar”, ka thënë tutje ai.
Tutje Baraliu ka thënë se Kushtetuta e Kosovoës është shkelur dhe po vazhdon të mos respektohet në forma të ndryshme.
“Fatkeqësisht nuk po respektohet as nga partitë politike as nga elitat e ndryshme qeverisëse sepse ka më shumë se disa raste që Qeveritë e Kosovës e kanë shkelur kushtetutën në forma të ndryshme, qoftë në aspektin material apo në aspekte tjera dhe kjo është evidente por më keq se kaq është fakti se edhe qytetarët nuk janë imum, nuk e kanë respektuar ose mund të themi, ne si qytetarë kemi tendencë here pas here për ti mos respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese që do të thotë rrjedhimisht edhe Kushtetutën vet”, u shpreh ai.