Kompania që u hetua nën dyshimet për falsifikim të certifikatave ISO me rastin e tenderit 8.4 milionë euro për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), më 2020, tash në vitin 2023 PËRSËRI ka fituar tender milionësh nga Ministria e Mbrojtjes.
2 milionë e 142 mijë euro është vlera e tenderit që ka fituar kompania “Beni Dona Plast”.
Më 4 mars, Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Beni Dona Plast” për “Shërbimi me ushqim ( furnizimi, përgatitja dhe servimi ) për nevojat emergjente për të gjithë kuzhinat të FSK-së”.
Sipas Dosjes së Tenderit, të publikuar në platformën e-prokurimi, kompania “Beni Dona Plast” do të shërbejë ushqim për ushtarët e FSK-së në kazermat e saj në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Istog, Ferizaj, Pomozotin, Gjakovë, Prizren.
Vlera e kësaj kontrate është 2 milionë e 142 mijë euro dhe është paraparë që të zgjas vetëm gjashtë muaj.