Dëshmitarja e parë që po jep dëshminë e saj në Gjykatën Speciale, ka filluar me deklaratën e saj.
Megjithatë, qysh në fillim, seanca ka kaluar në private dhe pjesa fillestare nuk u dëgjua.
Por, ajo që u bë e ditur nga disa pyetje të hapura është se dëshmitarja ka dhënë dy herë dëshmi për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ajo ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime në intervistat që ka dhënë më herët. Megjithatë, kur dëshmitarja nisi të jap arsyet, seanca sërish u bë private dhe nuk u dëgjua asgjë për publikun.
Pjesa më e madhe e kësaj dëshmie pritet të jetë e mbyllur.
"Ne kërkojmë që të gjitha pyetjet tona të bëhen në seancë të mbyllur", tha prokurori.
Përgjigjet e dëshmitares:
Prokurori: Zonja dëshmitare, a jeni intervistuar më herët nga Prokuroria e kësaj gjykate?
Dëshmitarja: Po në Prishtinë.
Prokurori: Në dy raste apo jo?
Dëshmitarja: Po.
Prokurori: A është kjo dëshmia juaj në faqen e parë?
Dëshmitarja: Po.
Prokurori: A është kjo dëshmia e dytë për ZPS-në?
Dëshmitarja: Po.
Prokurori: Kohët e fundit a keni pasur mundësi të rikujtoni dy intervistat?
Dëshmitarja: Po, konsideroj që po.
Prokurori: Në seancën përgatitore javën e kaluar renditët disa ndryshime që duhet bërë në këto intervista?
Dëshmitarja: Po
Prokurori: Këto ndryshime a janë reflektim? (Këtu seanca kaloi në private)
Në total pritet të jenë rreth 300 dëshmitarë të Prokurorisë. Ajo ka kërkuar afër 600 orë kohë për ta paraqitur rastin e saj.
Gjatë kësaj jave pritet të dëgjohen dy dëshmitarët e parë të Prokurorisë.
Kujtojmë se javën e kaluar në Hagë u thanë fjalët hyrëse të Prokurorisë e avokatëve.
Përderisa Prokuroria i bëri përgjegjës krerët e UÇK-së për më shumë se 100 vrasje, avokatët vlerësuan se klientët e tyre nuk kanë asnjë përgjegjësi për këto veprime.