Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, sot në një konferencë për media foli lidhur me marrëveshjen e Ohrit, dhe se Kosova e Serbia duhet të zbatojnë atë për çfarë janë pajtuar, në të kundërt do të ketë pasoja.
Stano tha se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është obligimi politik që të dyja palët morën përsipër dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga to.
“Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Kjo është ajo për çfarë jemi pajtuar. Ky është obligimi politik që të dyja palët morën dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato”, tha zëdhënësi i BE-së në konferencës e së martës.
“Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj”.
Tutje, Stano tha se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.
“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare”, tha ai.