Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) po vazhdon dëshminë e saj para trupit gjykues në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohet e mbyllur për publikun ndërsa dëshmitarja po përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Përveç Thaçit, në gjykatore në Hagë ndodhen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët po marrin pjesë fizikisht në procesin gjyqësor ndaj tyre.
Ndërsa para se dëshmitarja të paraqitej në sallë, mbrojtja e Thaçit, avokati Lluka Mishetiq, ka dorëzuar një provë materiale.
Ajo nuk është kundërshtuar nga prokuroria dhe është pranuar nga turpi gjykues duke u klasifikuar si publike.
Kjo është dita e dytë që dëshmitarja e prokurorisë po dëgjohet në seancë private.
Të martën ajo është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë. Aty është bërë e ditur se e njëjta dëshmitare ishte intervistuar nga prokuroria e kësaj gjykate edhe në dy raste të tjera në Prishtinë.
Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.