Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se Lista Serbe po e shfrytëzon incidentin në veri, ku mbeti i plagosur rëndë një qytetar i nacionalitet serb, për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale.
“Lista Serbe po tenton që përmes këtij rasti që ka ndodhur, ta prolongojë çështjen e mbajtës së zgjedhjeve dhe të kthehet në lojë, të marrë pjesë në zgjedhje”, tha ai.
Shala tha se reagimi i policëve në atë rast ka qenë i arsyeshëm, dhe se sipas tij, personi i plagosur ka të kaluar kriminale.
“Personi i plagosur ka precedentë kriminal, ka të kaluar kriminale, dhe policët e kosovës kanë vepruar në bazë të elementeve të arsyeshme, ka qenë reagim për cështje të sigurisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, policët nuk e kanë pasur për qëllim ta vrasin atë, por vetëm ta neutralizojnë sulmin e tij, për shkak të mosndaljes kur i është dhënë urdhri nga policia.
“Janë shkrepur vetëm dy plumba, në drejtim të tij, kjo tregon që policët nuk e kanë pasur për qëllim ta vrasin, por vetëm ta neutralizojnë sulmin që është bërë në drejtim të postbllokut”, ka thënë ai.