5 votime 4 dështime, mes tyre edhe Projektligji për Prokurorin e Shtetit
![](/media/botasot.info/images/2023/April/13/auto_635112-KRuyFjKkdo1681383592.png)
Një nga pikat e rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ishte edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Prokurorin e Shtetit. Por miratimi i këtij projektligji ka dështuar meqë opozita nuk mori pjesë në votim.
Në votim morën pjesë vetëm 50 deputetë kurse kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se kjo pikë e rendit të ditës do të bartet në seancën tjetër.
Sidoqoftë, në seancën e së enjtes, nuk u miratuan as amendamentet e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.
Nga 70 deputetë sa ishin në sallë, vetëm 46 kanë marr pjesë në votim ndërsa nuk pati kuorum as për miratimin e Raportit të auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për menaxhimin e pagave”.
Kjo pasi vetëm 50 deputetë kanë marr pjesë në votimin e kësaj pike.
Gjithashtu deputëtët nuk arritën ta kalojnë as rekomandimin lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të performancës komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga donatorët për vitin 2021”. Kjo pasi vetëm 49 deputetë kanë marr pjesë në procesin e votimit.
Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj séance ishte propozimi i Grupit Parlamentar të LVV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
Në seancën e së enjtes deputetët kanë miratuar propozimin e kësja partie për zëvendësimin e ish-deputetit të saj, Fatmir Humolli, me deputetin Dimal Basha, si anëtar në Komisionin për Siguri.