Nagavci tregon pse çerdhja në Istog ka tri vjet që s’po ndërtohet

Aktuale

Nagavci tregon pse çerdhja në Istog ka tri vjet që s’po ndërtohet

Më: 13 prill 2023 Në ora: 13:02
Arbërie Nagavci

Deputetja Arijeta Rexhepi nga LVV tha se dëshiron të ngrisë një shqetësim të qytetarëve të Istogut, në lidhje me projektin për ndërtimin e një çerdhjeje publike.

Ajo tha se ndërtimi ka filluar të bëhet në vitin 2019, por pas pandemisë, kompania ka kërkuar para shtesë. E  nga ajo kohë, nuk ka asnjë marrëveshje për rifillim të punimeve.

Prandaj deputetja Rexhepi pyeti ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, se cilat janë hapat që kjo ministri ka parashikuar të ndërmarrë që ky projekt të përfundojë sa më shpejtë.

Nga ana e saj, ministrja Nagavci tha se kontrata ishte nënshkruar mes MASHT-it dhe kompanisë “Menti” në vlerë prej 669 mijë e 639 euro.

Ministrja tha se kjo kontratë tashmë ka skaduar dhe aq sa është njoftuar, operatori përgjatë tri viteve ka punuar me ritëm jo të kënaqshëm duke mos pasur angazhim në punishte, përkundër insistimit të zyrtarëve të ministrisë që punimet të kryhen sipas kontratës.

“Me aq sa jam njoftuar nga zyrtarët kompetent, punimet janë realizuar rreth 55% të kontratës”, tha Nagavci, duke shtuar se bazuar në situatën aktuale, është rekomanduar nga zyrtarët përkatës, iniciimi i procedurës për ndërprerje të kësja kontrate.

“E për pjesët e tjera të punës të lidhet kontratë me oprator tjetër që do të jetë i përgjegjshëm”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat