Deputeti Agon Batusha nga LVV, pyeti ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në lidhje me lagjen “Agim Ramadani” në Junik, e cila furnizohet me ujë nga një burim i quajtur ‘Shkozë”.
Por deputeti tha se ky ujë është i një cilësie jo të mirë dhe pas ndonjë vërshimi qoftë edhe i lehtë, turbllohet dhe nga nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, banorët janë rekomanduar që ta vlojnë ujin para përdorimit.
Deputeti tha se pjesë të tjera të Junikut furnizohen me ujë më të mirë kurse lidhja e kësaj lagjjeje me pjesë të tjera për furnizim me ujë, ka qenë premtim elektoral i fushatës zgjedhore komunale, por i pa realizuar.
Deputeti tha se duke parë papërgjegjëshmërinë e nivelit komunal për këtë problem, kërkon të dijë nga ministrja se cila është mundësia që ky problem të zgjidhet nëpërmjet Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidro Drini”.
Nga ana e saj, ministrja Rizvanolli tha se kjo çështje është adresuar me manaxhmentin e KRU “Hidro-Drini”, por këta të fundit kanë deklaruar se nuk kanë pranuar ndonjnë ankesë zyrtare për cilësinë e ujit në lagjen “Agim Ramadani” në Junik.
“Megjithatë, ‘Hidro-Drini’ ka paraparë për vitin 2023, buxhet në vlerë prej 83 mijë euro për rehabilitimin e ujësjellësit në tri komuna, Istog, Klinë e Junik”, tha ministrja Rizvanolli.
Sipas saj, tenderi parashihet të hapet me 1 qershor dhe aty parashihet edhe rehabilitimi i ujësjellësit për lagjen “Agim Ramadani” në Junik.