Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni ka ngritur në Kuvend çështjen e krijimit të zonave ekonomike nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Ndërsa ka vlerësuar zhvillimet e fundit, duke përmendur Vushtrrinë, Vitinë, Lipjanin dhe Rahovecin, Hyseni e ka pyetur ministren e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarin në lidhje me krijimin e zonës ekonomike për Podujevën, duke thënë se është një domosdoshëmëri, pasi të rinjtë janë duke u larguar nga qyteti.
“Për nevojën e ofrimit të mundësive për punësim, gjithashtu duke parë interesimin e afaristëve e investitorëve potencial në vend por edhe nga mërgata jonë dhe duke llogaritur që zona e Podujevës ka nevojë të jashtëzakonshme për një zonë ekonomike, dua t’iu pyes se kur mund të kemi investime konkrete të përmbushjes së kësaj nevoje shumë të madhe që e ka Podujeva,”- i është drejtuar Hyseni, ministres Hajdari.
Ministrja Hajdari është përgjigjur më pas duke thënë se veçse kanë nisur planin për një zonë ekonomike në Livadicë, Podujevë dhe tashmë kanë filluar procedurat e shpronësimit.
“Me rastin e kompletimit të dokumentacionit nga Komuna e Podujevës për krijimin e kësaj zone ekonomike, do të shqyrtojmë mundësitë tonë buxhetore për këtë vit dhe vitet e tjera,”- është shprehur ajo, ndërsa ka kërkuar që aplikacionet të komunave të dorëzohen me kohë, në mënyrë që të pajisen me licenca dhe të prezantojnë kërkesën e tyre për t’u çeritfikuar si zonë ekonomike.
Megjithatë, deputet Hyseni ka kërkuar që Komunës së Podujevës t’i jepet prioritet në krijimin e zonës ekonomike, në mënyrë që të parandalohet largimi i shumë të rinjve nga qyteti për shkak të mungesës së vendeve të punës.