Prokuroria Themelore e Pejës është duke vijuar hetime intensive në lidhje me rastin e rëndë që ndodhi pasditen e së premtes në lagjen “Kapeshnicë” të Pejës ku djali 30-vjeçar vrau të ëmën për arsye ende të paditura.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi për KP se i pandehuri është në ndalim prej 48 orësh, ndërsa prokurorja e rastit do të kërkojë paraburgim prej një muaji.
Ai tha se hetimet janë në fazën konfidenciale dhe deri më tani nuk mund të bëjnë publike asgjë.
Nikçi: Hetimet janë në fazën konfidenciale
"I pandehuri është rreth moshës 30 vjeçare... Një rast i tillë është rast që nuk ka ndodhur më parë... Ne me Policinë e Kosovës jemi duke bërë hetime intensive që të ndriçohet në plotni kjo çështje e rëndë penale. Në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, është përgjigjur në afat shumë të shpejtë dhe ka arritur ta lokalizojë personin e dyshuar më pas dhe ta arrestojë. I njëjti me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë... Ne nuk mund t'i bëjmë hetimet publike, ku hetimet janë në fazën konfidenciale. Prokurori i shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që kjo çështje të ndriçohet", potencoi ai.
Nikçi shtoi se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ndërkaq tashmë po presin raportin e mjekut ligjor.
Nikçi: Jemi në pritje te raportit të IML
"Trupi i pajetë i viktimës është dërguar t'i bëhet autopsia në Institutin të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe jemi në pritje të raportit nga mjeku ligjor lidhur me këtë çështje... Një rast i tillë është rast që nuk ka ndodhur më parë. Rasti është shumë i ndjeshëm dhe duhet t'i kursejmë anëtarët e familjes, që mos t'i lëndojmë më shumë", u shpreh ai.
Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka kërkuar që i pandehuri të vijojë qëndrimin në paraburgim për një muaj ndërsa seanca është mbajtur gjatë ditës së sotme (e shtunë).
Nikçi: Do të kërkohet vijimi i paraburgimit
"Sipas procedurës penale i njëjti duhet të qëndrojë 30 ditë paraburgim. Prokurori në koordinim me gjyqtaren paraprake do të kërkojnë që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit derisa të përfundojë i gjithë procesi hetimor, më pas do gjykohet me veprën penale, ku prokurori i shtetit do kërkojë nga gjyqtari që i njëjti të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin e merituar", theksoi ai.
Vrasja që tronditi të gjithë Kosovën ndodhi rreth orës 16:00 të premtes.