Heroi i Kosovës Fahri Fazliu po përjetësohet në shtatoren madhështore që po e gdhend skulptori Sabri Behramaj.
Shtatorja në fjalë është në përfundim e sipër, teksa Behramaj atë po e punon në bronz.
Anëtarë të familjes së heroit Fazliu kanë njoftuar për Kosovapress se shtatorja e heroit Fahri Fazliu do të vendoset në qytetin e Obiliqit dhe përurimi do të bëhet më 5 maj në Ditën e Dëshmorëve të Kombit.
Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia ranë heroikisht më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.
Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut e vazhdoi gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.