Ministrja serbe e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq, po qëndron në ditën e saj të tretë të vizitës në Kosovë dhe së fundi ka vizituar në Mitrovicë të Veriut edhe Millan Jovanoviqin, të plagosurin serb nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Ministrja Grujiçiq ishte shoqëruar nga Dejan Paviqeviqi dhe vizitoi strukturat shëndetësore të Mitrovicës së veriut.
Gjatë kësaj vizite ajo paralajmëroi punësim të mjekëve të rinj.
“Ajo për çka ne insistojmë, edhe qeveria edhe presidenti, është paqja. Sepse kjo është e mira si për serbët si për shqiptarët...” – u shpreh znj. Grujiçiq.
Kujtojmë se Millan Jovanoviq kishte mbetur i plagosur në një rast për të cilin fillimisht Policia e Kosovës kishte mohuar se ishin përfshirë pjesëtarët e saj por më pas e kishte pranuar.
Në Kosovë për të kremtuar pashkët ortodokse serbe ka qëndruar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, z. Petar Petkoviq.