PE miraton vendimin për liberalizimin e vizave

Aktuale

PE miraton vendimin për liberalizimin e vizave

Më: 18 prill 2023 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 12:19 më 18.04.2023
Parlamenti Evropian

PE miraton vendimin për liberalizimin e vizave

Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës - me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Në Parlamentin Evropian nuk pritej të kishte ndonjë problem gjatë votimit, pasi një shumicë e madhe e deputetëve e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në fakt, Parlamenti Evropian ka qenë institucioni i BE-së, i cili më së shumti e ka mbështetur lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimisht ka qortuar Këshillin e BE-së dhe Komisionin Evropian për, siç është thënë, vonesa të panevojshme në këtë proces.

Akti ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet në nënshkruhet nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe ministrja për Evropën e Suedisë, Jessika Roswall, vendi i së cilës kryeson aktualisht Këshillin e BE-së.

Në ceremoninë e nënshkrimit janë ftuar të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Sot Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian sot e voton tekstin për të cilin janë marrë vesh vendet e BE-së që edhe qytearët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm pa viza në zonën Schengen.

Pas hedhjes në votim edhe në PE, hapat e mbetur për këtë proces janë:

Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, i cili do të nënshkruhet me 19 prill.

Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe Liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar nga 1 janari i 2024-së.

Gazetarja nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina, tha dje se ky votim nënkupton kjo se s'ka më dilema se kosovarët do të lëvizin pa viza nga 1 janari i vitit 2024.

“Bëhet fjalë për përfundimin e të gjitha procedurave vendimmarrëse sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk ka dyshim se do të kalojë nesër me shumicë dërmuese votim mbi liberalizimin e vizave marrë parasysh se PE ka qenë promotori më i madh i heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, andaj rezultati si i tillë do e dëshmojë gjatë ditës së nesërme”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat