Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian në përbërje prej 27 vendeve të BE-së, në mars ka dhënë “dritën e gjelbër” liberalizimit të vizave për Kosovën.
Parlamenti Evropian sot do votoje tekstin për të cilin janë marrë vesh vendet e BE-së që edhe shtetasit e Kosovës të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.
Zëdhënësja e BE-së për çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, Anitta Hipper ka thënë për Nefail Maliqin dhe gazetën zvicerane në shqip Le Canton27 se Parlamenti Evropian sot pritet të votoj tekstin për të cilin janë marrë vesh vendet e BE-së që edhe kosovarët të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.
Zyrtaret e BE-së znj. Anita Hiper sikur edhe z. Peter Stano janë deklaruar optimist se ky votim do të kaloj pa pengesa dhe do t’i paraprije liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024.
“Këshilli i BE-së vendimi është marrë në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel ku ministrat e BE-së e miratuan këtë vendim në lexim të parë, pa diskutime, pasi për këtë, kishte pasur pajtueshmëri në takimin e mëhershëm të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare. Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së”, thotë ajo.
Ajo tha se rregullat e reja do t’u mundësojnë bartësve të pasaportave të Kosovës udhëtimin në BE pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve.
BE-ja ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ndërsa në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
“Ne mirëpresim marrëveshjen e arritur nga Këshilli [më 9 mars] për heqjen e vizave për Kosovën. Propozimi duhet ende të miratohet nga Parlamenti Evropian për t’u bërë përfundimtar. Marrëveshja e arritur parasheh që liberalizimi i regjimit të vizave për Kosovën të hyjë në fuqi nga data e hyrjes në shërbim të ETIAS. Nëse ETIAS ka vonesa, data e fillimit nuk duhet të jetë më vonë se 1 janar 2024”, ka deklaruar znj.Anitta Hipper zëdhënëse e BE-së për çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian.
Ajo ka shtuar ne vazhdim se “Vlerësimi i Komisionit ishte i qartë që nga korriku 2018. Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kosova ka punuar shumë për të përmbushur të gjitha standardet dhe vazhdimisht tregon përkushtimin e saj. Ata punojnë pa u lodhur për të siguruar që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza”.
Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024. Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.