Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar komandantin, Sali Çekaj, në 24 vjetorin e rënies heroike të tij.
Osmani tha se Sali Çekaj ra në fushëbetejën e Kosharës, në njërën ndër betejat vendimtare për ta thyer kufirin, të cilin ajo e quajti të egër që i ndante shqiptarët, por edhe mitin e rremë për pathyeshmërinë e forcave serbe.
“Komandant Çekaj ishte njëri ndër strategët më të shquar të luftës, por veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri”.
“Veprimtarinë atdhetare e nisi herët, për të mos iu ndarë deri në rënien e tij heroike, më 19 prill 1999. Njëherë në Kosovë e më pas në mërgim, ai dëshmoi se si punohet e vdiset për atdhe”, tha Osmani.
Tutje, e para e shtetit tha se bashkë me Agim Ramadanin, Sali Çekaj u shqua si strateg ushtarak dhe sipas saj, si një komandant i Brigadës 134, Osmani tha se Çekaj la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së dhe betejave të saj për liri.