Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se tashmë është e qartë se pse Lëvizja Vetëvendosje refuzonte ta themelonte komisionin hetimor parlamentar për “keq-menaxhimin e krizës energjetike”, pas arrestimit të sotëm të Nagip Krasniqit, drejtorit të KEK-ut.
Ai po ashtu tregoi se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i dyshuar po ashtu për përfshirje në një skandal financiar energjetik, ka qenë “anëtar i kryesisë së LVV”.
Mes tjerash, Mustafa thotë se “kur Kurtit i kërkonim dorëheqjen e Berishajt, ai deklaronte se i besonte atij plotësisht”
“Tash e keni të qartë pse VV refuzonte të themelohej komision hetimor parlamentar për keqmenaxhimin e krizës energjetike, po? Po e dini që Martini ka qenë anëtar i kryesisë së VV, po? Po e dini që Martinit iu ka dhënë nënshtetësia e Kosovës brenda ditës për ta emëruar ambasador, po? Po e dini që kur i kërkonim dorëheqjen Martinit, Kurti deklaronte se i besonte atij plotësisht, po?”, shkroi ai në Facebook.
“Po e dini që Martini është tregtar i energjisë dhe pasiqë KEK-u nuk i remonton blloqet ne duhet të blejmë energji përmes Martinit dhe shokëve të tij tregtar, po? VV të pakorruptuar? Le mos boni hajgare, aman”, përfundoi ligjvënësi opozitar.