Njëri ndër themeluesit e UÇK-së, Nait Hasani, ka treguar takimin e parë me Adem Jasharin.
Ai ka treguar se çfarë tipi ka qenë ai, ndërkohë që shton se pas bashkimit me grupin, Adem Jashari e ka konsideruar atë si një familje që luftonin së bashku për liri.
“Për Ademin kanë folur shumë. Njerëz që nuk e kanë njohur por edhe njerëz që e kanë njohur. Ka qenë njeri familjar dhe e kanë njohur për të tillë. Ka qenë karizmatik dhe i fuqishëm, mund të shikonte shumë përpara. Hamza ishte i fuqishëm, më i vrazhdë dhe më orator. Hamza nuk ia ka prishë asnjëherë”, tha ai.
“Kam shkuar tek Adem Jashari dhe i jam prezantuar si UÇK. Njerëzit kishin shkuar edhe si LDK e i kishin kthyer. Edhe si LPK e i kishin kthyer. Rexha dhe Syla i kishin treguar më herët. Nuk kishte dyshime. Nuk kishte lojë me fjalë më, do të luftonim për lirinë e vendit. Më familjen Jashari kam qenë mjaft i lidhur. Ademi e ka ndjerë veten sikur me qenë një familje e organizuar bashkë grupin tonë”, shtoi ai.