Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton se ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ndaj kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Paraburgimi po kërkohet në drejtim të veprave penale: ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Krasniqu u arrestua dje dhe i njëjti me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Njësia e Veçantë e Hetimeve mbrëmë ka bastisur zyrën e Nagip Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti. Prokuroria njoftoi se gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike, tre (3) kompjuterë, një (1) llaptop, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.